Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë; shqyrtoi masat kundër djegies së pyjeve si dhe diskutoi për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, njofton Llapi.info

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë dy muajve të fundit; ka diskutuar për koordinimin e aktiviteteve dhe masave që duhet të ndërmerren në parandalimin e djegies së pyjeve gjatë verës e gjithashtu diskutoi për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, të cilat mund t’iu propozohen drejtorive komunale për miratim.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, shefja e Operativës në Stacionin e Policisë në Podujevë, rreshtere Antigona Çitaku, tha se gjendja e sigurisë në komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile.

Në kuadër të aktiviteteve të parapara për sigurinë e qytetarëve gjatë sezonit veror, rreshtere Çitaku përmendi planin që është duke u realizuar për siguri në komunikacion dhe planin për parandalimin e të shtënave me armë në ahengjet familjare.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Në takimin e KKSB u diskutua edhe lidhur me masat parandaluese kundër djegies së pyjeve dhe koordinimin e aktiviteteve në mes Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Policisë së Kosovës, Agjencionit Pyjor, Agjencionit të Menaxhimit Emergjent dhe sensibilizimit të qytetarëve për pasojat nga zjarri, të cilat shkaktohen sidomos gjatë periudhës së korrje-shirjeve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, tha se është shqetësues dëmtimi i pyjeve nga zjarret. Januzi tha se vetëm gjatë muajit mars të këtij viti janë evidentuar 47 raste të zjarreve në pyje, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe prej 414 hektarë. Drejtori Januzi vlerësoi se kërkoi një koordinim të mirë të aktiviteteve në teren në parandalimin e shkaktimit të zjarreve.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se në periudhën e deritashme, nga janari i këtij viti, Shërbimi i Zjarrfikësve ka pasur gjithsej 354 intervenime në shuarjen e zjarreve.

Drejtori Muçiqi gjithashtu apeloi për angazhimin e të gjitha institucioneve dhe mekanizmave përgjegjëse në ndërmarrjen e masave për parandalimin e zjarreve. Ai tha se me qëllim të intervenimeve më efikase në teren Agjencioni i Pyjeve ka angazhuar edhe 10 zjarrfikës sezonalë në kuadër të Shërbimit të Zjarrfikësve në Podujevë.