Bashkëdrejtuesi i deritanishëm i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, ka thënë se takimi i fshehtë në Berlin që Avni Arifi ka bërë me palën serbe do t’i faturohet Ramush Haradinajt.

Ahmeti, në “Debat Plus”, ka thënë takimi i fshehtë që ka bërë Avni Arifi në Berlin me Gjuriqin ka qenë një gabim i madh i kryeministrit Ramush Haradinajt.

“Mendoj se është gabim i jashtëzakonshëm i kryeministrit Haradinaj. As zoti Limaj nuk ka qenë i informuar për këtë takim. Nuk e di me çfarë kapaciteti ka shkuar atje Avni Arifi pasi është ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ai.

Kryetari i PSD-së tha se ka qenë i njoftuar nga ambasadorët një javë para se takimi të zhvillohej por thotë se ka pritur të njoftohet nga Haradinaj pasi zyrtarisht ishte pjesë e grupit.

Ahmeti vlerëson se po të ishte në fuqi Ligji për dialogun, nuk do të kishte efekt ai takim në Berlin por pas vendimit të Kushtetueses takimi mund të merr kahje tjetër.

Pas këtyre zhvillimeve, kryetari i Prishtinës nuk beson se Fatmir Limaj ka më vullnet të jetë pjesë e ndonjë ekipi negociator.