Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se ka një zgjidhje për dërgimin e produkteve nga Serbia në veri të Kosovës, por se ai nuk mund të flasë për këtë.

Ai tha se është në kontakt me ata që transportonin ushqim për në Kosovë dhe se ata nuk duhet të trajtohen si kriminelë.

I pyetur nëse shtyrja e samitit të Parisit do të thotë se SHBA-ja do të përfshihet më shumë në negociata, Vuçiq tha se Uashingtoni tashmë është i përfshirë, ndërsa ai vetë shtroi pyetjen se a është i nevojshëm fakti që të përfshihen shtetet të cilat e njohin Kosovën si shtet ndërsa të përjashtohen nga negociatat ato shtete që nuk e njohin, shkruan Danas, transmeton lajmi.net.

Vuçiq tha se Serbia ka më shumë besim tek presidenti aktual Donald Tramp sesa në administratën e mëparshme, por se Uashingtoni nuk do të ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës.

Kur u pyetën “çka pasi dështoi takimi i Parisit”, Vuçiq tha se pritet që presidenti francez, Emmanuel Makron do të shkojë në Serbi, duke shtuar se një ditë dikush do të duhet të flasë për atë që “veshët e butë” në Serbi nuk duan të dëgjojnë, dhe se ai ka propozuar një kompromis.

Ai gjithashtu tha se “rezistenca” në veri është serioze edhe pse autoritetet në Prishtinë duan ta thyejnë atë me çdo kusht dhe duan që t’i përdorin politikanë serbë. Derisa shtoi se ka agjenci të huaja të cilat dëshirojnë ta “shkatërrojnë veriun”.

Duke folur për idenë e kryetarit të Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Djilas, për ta miratuar një deklaratë për pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve dhe krijimin e bashkëpunimit në arsim, mjekësi dhe sport, Vuçiq tha se Serbia paguan për arsimin dhe shëndetësinë në veri të Mitrovicës dhe tha se varet nëse Prishtina do të tërhiqet nga vendimi për taksën.

Vuçiq madje akuzoi edhe politikanët të cilët nuk pajtohen me të.

“Ata kanë të drejtë, unë jam negociatori më i keq, por unë nuk isha atëherë kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe nuk isha aty kur 100 vende e kanë njohur Kosovën, por isha aty kur 13 vende e tërhoqën njohjen” tha Vuçiq.