Që nga sot ka filluar patrullimi i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe asaj shqiptare me rastin e sezonit veror në Shqipëri.
Anipse turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, gjegjësisht të Njësive Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) dhe Njësisë për Kontroll të Autostradave (NJKA), kanë udhëtuar sot për në Republikën e Shqipërisë, bëhet e ditur se këta të fundit nuk do të mund të vendosin gjoba për qytetarët.
Në një konferencë të përbashkët për media të Policisë së Kosovës dhe Policisë Shqiptare, u tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem, pasi do të zbatohen procedurat standarde dhe se edhe ashtu nuk kanë për qëllim vendosjen e gjobave, por rritjen e sigurisë në rrugë.
Zëvendësdrejtori i Policisë Rrugore të Shqipërisë, njëherësh shef i sektorit të sigurisë rrugore, Skender Ismaili bëri të ditur se ndryshe nga vitet tjera, këtë sezon, patrullimi i përbashkët do të realizohet edhe në pjesën Jugore të Shqipërisë.Të dy palët, zyrtarët policorë nga Kosova dhe ata të Shqipërisë, Ismaili tha se janë të interesuar që të zbatojnë rregullat, teksa shtoi se asnjë gjobë nuk u nevojitet.
I pyetur nëse zyrtarët policorë nga Kosova do të mund të shqiptojnë
gjoba, Ismaili u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për
momentin, porse theksoi se do të mundohen të gjejnë një rrugë që kjo të
ndodhë në të ardhmen.Sipas tij, trendi i aksidenteve në numër, ka
shënuar një rënie të lartë, por trendi i pasojave, ka një rritje me dy
ngjarje më shumë, gjatë muajit qershor, raporton KP.
Drejtori i Divizonit të Trafikut në Drejtoerinë e Policisë të Kosovës,
Jeton Rexhepi tha se kanë ofruar mbështetje të plotë për policinë e
trafikut rrugor të Shqipërisë, gjatë muajit korrik dhe gusht.Sipas tij,
qëllimi kryesor i këtij patrullimi të përbashkët është që të merren me
kundërvajtjet e rrezikshme, siç janë tejkalimi i shpejtësisë dhe
tejkalimet në vendet e ndaluara, me qëllim që secili pushues të kthehet
shëndoshë e mirë nga pushimet.