Që nga 1 korriku deri në fund të këtij viti Bashkimi Evropian do të kryesohet nga Finlanda.
Megjithatë, marrja e kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e Finlandës nuk shihet si vendimtare për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Njohësit e proceseve integruese thonë se mandati 6-mujor i Finlandës mund të përfundojë pa pasur një vendim për vizat, pasi liberalizimi për Kosovën nuk është prioritet i saj. Ndërsa ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha shpreson që ky gjashtëmujor, ku Finlanda do ta kryesojë Presidencën e BE-së, do të jetë premtues për Kosovën.
Në një prononcim për lajmi.net, ministrja Hoxha ka thënë se pret njohjen e suksesit të Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim, siç thotë ajo, duke hequr dilemat për orientimin dhe përcaktimin tonë evropian, si i vetmi vend pa liberalizim
“Gjatë gjashtëmujorit të kryesimit të Presidencës së BE-së nga Finlanda, presim fuqizim të perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, pres njohjen e suksesit tonë në përmbushjen e kushteve për liberalizim, duke hequr dilemat për orientimin dhe përcaktimin tonë evropian, si i vetmi vend pa liberalizim. Finlanda në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian, do të vijoj angazhimin për sundimin e ligjit, fuqizimin e konkurrencës, përfshirjen sociale, mjedisin, ndryshimet klimatike dhe përkushtim të shtuar për vlerat evropiane”, ka thënë Hoxha.
Por, ndryshe nga Hoxha mendojnë njohësit e proceseve integruese, ata thonë se gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi për Kosovën të finalizohet përgjatë kësaj periudhe kohore.
Njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë për lajmi.net, se programi nuk merret me politikat specifike, prandaj nuk duhet befasuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pjesë e programit.
“Qeveria e Finlandës sapo ka publikuar Programin e saj për Presidencën e BE-së – “EVROPA E QËNDRUESHME, E ARDHMJA E QËNDRUESHME”. Programi përmban 4 prioritete të Presidencës së Finlandës për gjashtë muajt e mbetur të vitit 2019. Programi nuk mirët me politikat specifike, prandaj nuk duhet befasuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pjesë e programit”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se gjasat që të ketë liberalizim të vizave për Kosovën brenda vitit 2019 nuk janë të mëdha.
“Presidenca finlandeze fokusohet në çështje te tjera gjate mandatit te saj, dhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është çështje prioritare për finlandezet. Mirëpo si e tillë, nuk nënkupton që e njëjta është kundër këtij procesi. Nëse arrihet konsensusi në mes shteteve anëtare të BE-së, nuk ka ndonjë arsye të mendohet qe Finlanda mund ta bllokojë këtë proces ose të ndikoi negativisht”, ka thënë Hoxha.
Muajt e fundit liderët institucionalë kanë shpeshtuar kritikat ndaj Bashkimit Evropian, duke e bërë BE-në fajtor të vetëm për mos heqjen e vizave.
Në anën tjetër kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me 1 korrik udhëtoi për në Paris me synimin që ta përshpejtojë agjendën e liberalizimit të vizave. Haradinaj atje u takua me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, ku tha se kërkoi mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërsa, pasi u kthye nga Parisi, në një konferencë për media, Haradinaj tha se Franca është zotuar se nuk do ta bllokojë procesin e liberalizimit.