A keni dashur ndonjëherë të keni një makinë elektrike që mbushet vetë? Së shpejti kjo mund të jetë një mundësi e vërtetë.
Kompania holandeze “Lightyear” tani debuton me prototipin për linjën e vet të distancave të gjata, Lightyear one (një), me mundësi që të lëvizë 725 kilometra dhe me një bateri të vogël që mund të mbushet me rreze dielli.
Ideja është se mund ta marrësh veturën në rrugë të gjata, sepse nuk është e varur nga ndërtesa apo infrastruktura të tjera për t’u mbushur me energji.
Kulmi i makinës është i mbuluar me panele solare të mbuluara me xham mbrojtës, që kompania thotë se është aq i fortë sa një i rritur mund të ecë në to pa shkaktuar asnjë dëm, transmeton “Koha Ditore”. Dhe po ashtu është e dizajnuar që të jetë shumë e lehtë, duke e bërë më efikase. Me pak peshë do të thotë se mund të kalosh më shumë kilometra duke e mbushur me rreze dielli.
“Lightyear” është një kompani mjaft e re, e krijuar në vitin 2016. Krijuesit e saj prodhuan një makinë me energji solare të quajtur Stella, për World Solar Challenge në Australi, kur ishin në universitet dhe u bë kampion botëror në klasën e vet.
Por “Lightyear One” definitivisht nuk vjen me një çmim të lirë. Pagesa për rezervim për 500 automobilat e parë është 119.000 euro dhe kjo për një makinë që nuk do të arrijë deri në vitin 2021.
“Lightyear” është definitivisht një kompani që krijon opsione më të mira për ambientin, por me këto çmime, makina është më shumë koncept sesa një makinë praktike.