Nga dy kandidatë sa ishin për një vend pune si punëtor teknik në shkollën fillore “Mehdi dhe Sylejman Bytyqi” në Arllat të Drenasit, është përzgjedhur Salih Bytyqi, vëllai i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi.
Sipas opozitës në këtë komunë, përveç që ministri po punëson familjarë, po investon edhe më shumë në fshatin e tij të lindjes, raporton KTV.
Nga Vetëvendosje thonë se rastet si këto po e zbehin besueshmërinë e qytetarëve në institucionet publike.
Salih Bytyqi, i cili ka dy muaj që ka nisur punën në këtë shkollë, nuk ka pranuar të flasë para kamerës, por shkurt ka thënë se për t’u pranuar në këtë pozitë ministri Bytyqi nuk pati asnjë ndikim, por pozitën e fitoi në bazë të meritës.
Drejtori i Arsimit në Drenas në anën tjetër thotë se konkursi u shpall pas kërkesës së drejtorit të shkollës dhe se nuk ishte në dijeni që kandidati i përzgjedhur ishte familjar i ministrit të Arsimit.
Ai thotë se përzgjedhjen e bëri Komisioni vlerësues.
Drejtori i kësaj shkolle, i cili ishte pjesë e komisionit, mohon që Bytyqi u zgjodh për këtë pozitë shkaku i vëllait të tij.
Ndërkohë, ministri Shyqyri Bytyqi ka thënë përmes telefonit se vendimet e vëllait për aplikim për vende të punës janë të pavarura dhe se përzgjedhja e tij në këtë rast është kompetencë e Komunës së Drenasit, duke shtuar se në asnjë formë nuk mund të ndërhyjë.