Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se ka biseduar me kolegen bullgare Ekaterina Zaharieva për gjithçka që ndodhi pas deklaratës së fundit të kryeministrit bullgar Boyko Borissov për Kosovën dhe shefin e ardhshëm të diplomacisë evropiane.

Sipas kryediplomatit serb bëhet fjalë për keqinterpretime të mediave serbe dhe se të gjitha mosmarrëveshjet janë zgjidhur .

“Ne folëm për të gjitha këto keqkuptime që u zhvilluan në marrëdhëniet tona këto ditë, të cilat u bënë edhe përmes intervistave me ambasadorët në ministritë tona, por sot kemi gjetur, duke analizuar se si është transmetuar në disa media, se ishte e qartë se kishte pasur interpretime të gabuara të asaj që Borissov tha dhe çfarë u publikua në media”, tha Daçiq.

Këto zhvillime erdhën pas deklaratës së kryeministrit bullgar sipas së cilës kandidati i ardhshëm në postin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borrelli, duhet të respektojë qëndrimin e BE-së për Kosovën e jo atë të Madridit, transmeton Klan Kosova.

Për këto deklarata kishte reaguar Daçiq, i cili kishte thënë se Borissovi duhet të respektojë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, i cili sipas tij thotë se “Kosova nuk është e pavarur, e jo të tentojë t’i mbajë leksion Borrelit”.