Ky ujë që del nga toka, është i vendosur mes maleve. Dikur ishte deponi e mbeturinave, ndërsa sot është më i frekuentuari në këtë rrethinë.
Burimet që dalin në fshatin Dobërçan të Gjilanit janë shërues i shumë sëmundjeve, e që banorët e quajnë edhe “Banja e Dobërçanit”, për shkak të vetive që ka.
Igballe Zymberi, ka 11 vite që vjen në këtë vend nga Gjermania. Ajo kishte dhimbje të mëdha koke, dhe prej asaj kohe ka thënë se më nuk ka asnjë problem.
“Jetoj që 28 vite në Gjermani dhe që 11 vite jetoj në këtë bajë. Në Kosovë, Gjermani, Austri e Spanjë më kanë thënë që e ke migrenën, por ky ujë dhe ky vend më kanë shërua. Më nuk ndjejë kokë dhembje dhe e ndjejë veten shumë mirë. Edhe një e afërme imja i ka hequr syzet nga ky ujë. E ka pirë e më pas ka larë edhe sytë dhe më pas ka hequr syzet. Vajza e hallës pasi ka pirë këtë ujë, nuk ka pasur më probleme me lukth”, thotë për RTV Dukagjinin, Igballe Zymberi.
Temperatura e këtij uji është 28 gradë gjatë të gjitha stinëve. Në këtë vend vijnë edhe nga shtete të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.
Përveç ujit, edhe balta në të është shumë shëruese.
Nezir Sinani, i cili është klient i rregullt i kësaj baje, ka thënë se balta i ka ndihmuar atij dhe gjithë shokëve.
“Edhe pse reumën gjithsecili e ka, unë përmes këtyre banjave e kam shty dhe tash i kam bërë 72 vjet. Edhe ujin pasi kam pirë, më është larguar tugu nga lukthi dhe ndjehem shumë mirë”, shprehet Nezir Sinani, përcjell Telegrafi.
Në fshatin Dobërçan ka rreth 18 burime natyrore , që mbushin këto pishina, të cilat janë rregulluar me vetiniciativën e banorëve të këtushëm.
Ibish Ibishi, njëri nga mbikëqyrësit, ka thënë se brenda një dite vijnë deri në 700 persona.
“Në këtë vend ka shumë burime, por të vërtetuara si shëruese janë rreth 19. Sipas të gjitha shënimeve që kemi këtë vend e vizitojnë 500-700 klientë në ditë. Mund të themi se kemi pasur mysafirë nga Turqia, Greqia, Çekia e të mos flasim më për vendet fqinje. Kjo bajë është e pasur me minerale dhe uni është i nxehtë. Shfrytëzohet nga njerëzit që kanë infeksione të lëkurës, të syrit, për lukth, për sëmundje celebrale etj.”, thotë Ibish Ibishi.
Nga një vend i mbushur me mbeturina, tashmë Dobërçani është shndërruar në vend ku mbledh me qindra njerëz, të cilët përveç që vijnë të relaksohen vijnë edhe për t’u shëruar.