Ka filluar asfaltimi i segmentit në rrugën e qendrës “Zahir Pajaziti” në Podujevë, njofton Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në një postim në rrjetin social Facebook.
“Asfaltimi i segmentit të parë në rrugën “Zahir Pajaziti” në qytet.
Do të vazhdohet me punë në ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimit publik në këtë pjesë dhe njëkohsisht, do të punohet në realizimin e projektit në segmentin tjetër”, ka thënë Veliu.
Tutje Veliu ka falënderuar banorët, e veçmas bizneset përkitazi me këtë pjesë, pasi që sipas Veliut, kanë pasur vështirësi gjatë punimeve.
“Falënderojmë banorët, e veçmas bizneset që shtrihen në këtë pjesë të qytetit për mirëkuptim, sepse jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë zhvillimit të punimeve, duke pasur parasysh faktin se kishte edhe pengesa në dinamikën e kryerjes së punimeve, shkaku i natyrës dhe ndjeshmërisë së projektit. Mirëpo, me këtë projekt po përmbyllim komplet infrastrukturën në rrugën kryesore të qytetit, e cila u jep zgjidhje problemeve, me të cilat qytetarët tanë janë ballafaquar çdo ditë”, ka thënë tutje ai.
Ndërkaq, për punimet në këtë pjesë të rrugës së qendrës kritika kanë hedhur këshilltarët opozitarë, pasi që sipas tyre, kjo rrugë është shkatërruar tani, ani pse ishte rishtruar në kohë fushate me kosto 155.493.52 euro. /Llapi.info