Banorët e shtatë fshatrave të Podujevës vazhdojnë të mos kenë furnizim me ujë, ani pse gypat e ujësjelleësit “Vrella” janë të vendosur, njofton Llapi.info.

7 fshatrat: Metehi, Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Pakashticë e Epërme dhe Pakashticë e Poshtme dhe vetë fshati Revuçë (ku gjendet burimi), s’do të kenë furnizim me ujë të pijes. Kjo, pasi që Komuna ka hequr dorë nga ky projekt, teksa banorët edhe kanë ndarë mjete për të njëjtin projekt.

E për këtë çështje ka reaguar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Sipas ZKA-së, ky projekt është zvarritur vit pas viti.

“Qytetarët kishin participuar me vlerë prej 70,120€, e cila shumë është duke u bartur vit pas viti, për shkak të mosrealizimit të projektit. Sipas komunës, një prej fshatrave ka krijuar pengesat për shfrytëzimin e burimit të ujit, derisa pagesat për punët e kryera në disa fshatra arrijnë vlerën e 173,000 eurove. Kjo çështje është ngritur edhe vitin e kaluar, ngase është projekt me ndikim social, vonesa e të cilit prek mirëqenien e qytetarëve të cilët kanë participuar drejtpërdrejt në zbatimin e projektit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përkundër se kanë ndarë mjete buxhetore për ndërtimin e projektit, banorët vazhdojnë të furnizohen me ujë nga pusetat./Llapi.info