Mbi 4600 kërkesa për legalizimin e objekteve ka pranuar Komuna e Podujevës. Lajmin për portalin Llapi.info e ka bërë të ditur Durim Salihu, drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës.

Dje ka përfunduar afati për aplikimin e legalizimit të objekteve. Të gjithë ata që kanë aplikuar, aplikimin e kanë bërë pa pagesë.

Por, fillimi i procesit të legalizimit në Komunën e Podujevës ka qenë me pagesë. Ata që kanë aplikuar në fillim është dashur të paguajnë një taksë prej 3 eurosh për kërkesën për legalizimin e objekteve.

Sipas zyrtarëve komunale kjo kishte ndodhur për shkak të një keqkuptim në zyrën e pranimit të lëndëve.

Por, pas raportimit të portalit “Llapi.info” se Komuna e Podujevës po “plaçkiste” qytetarët e saj duke ua marrë nga 3 euro taksë për kërkesën për legalizimin e objekteve, ajo kishte marrë vendim që të hiqet kjo taksë.

“Janë 4.000 kërkesa që janë bërë deri më sot dhe që kanë paguar një taksë prej 3euro, por kompenzimi i gjithë këtyre qytetarëve do bëhet në fazën e dytë për aplikimin e legalizimit të objekteve. Faza e dytë do filloi me 15 shtator dhe ata që kanë paguar taksë në fazën e parë, në fazën dytë do paguajnë vetëm 97euro, në mënyrë që të kompenzohen ato mjete, ndërsa, të tjerët që do e bëjnë kërkesën falas do paguajn nga 100euro në fazën e dytë”, kishte thënë Salihu.

Faza e dytë e legalizimit të objekteve pritet të fillojë në shtator dhe do të jetë me pagesë prej 100 eurosh./Llapi.info