Qytetarët e Podujevës vazhdojnë të kenë probleme me veturat që kalojnë nëpër sheshin kryesor të këtij qyteti.
Sheshi “Katër Dëshmorët’’ edhe më tutje, vazhdon të mbetet i papërfunduar e sipas shoqërisë civile e opozitës, komuna është fajtore për procedurat që kanë nisur qysh më 2017, raporton KTV.
Sipas Shemsi Jasharit, Drejtor i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu “, kjo dëshmon se komuna e Podujevës, problem kryesor ka realizimin e investimeve kapitale.
Ai deklaroi se projektet e parapara për finalizim në këtë komunë, vazhdojnë të zvarriten vit pas viti.
Jashari shton se Komuna po zvarrit qëllimshëm këto projekte, me të cilat për qëllim ka vetëm t’i shfrytëzojë për vota në kohë fushate.
Të njëjtin mendim me Jasharin e ndajnë edhe anëtarët e opozitës, Arbër Blaku i PDK-së dhe Fitim Haziri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tyre, kryetari i komunës së Podujevës, me projektin për rikonstruktimin e sheshit të qytetit po tenton që të bindë qytetarët edhe për fitimin e një mandati tjetër.
KTV-ja ka pyetur për këtë projekt edhe zyrtarë komunalë të Podujevës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.