Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Podujevë, edhe zyrtarisht ka larguar nga kjo parti këshilltaren, Tringë Sfishtën, raporton Llapi.info.

Pikërisht Tringë Sfishta më 18 janar të vitit 2018, i kishte siguruar kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliut, votën pro të saj për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fatmir Gashi nga radhët e LDK-së.

Vota pro e Sfishtës dhe të Donjeta Jakupit (PDK), mundësuan zgjedhjen e tij si kryesues.

Për shkarkimin e saj nga të gjitha funksionet e kësaj partie ishte bërë në një mbledhje të AAK-së, ndërsa kryetarja e kësaj partie, Mrika Thaçi, ka dërguar edhe njoftimin te kryesuesi i Kuvendit të Podujevës, Fatmir Gashi.

“Me vendimin e marrë me 25.06.2019 nga struktura vendimmarrëse në Podujevë. Nga data 25.06.2019, anëtarja e Kuvendit të Podujevës, Tringë Sfishta, s’është më pjesë e subjektit të AAK-së, s’përfaqëson dhe s’mund të prezantohet në emër të AAK-së”, thuhet në vendim të sigurua nga portali.



Mirëpo, kryesuesi i Kuvendit të Podujevës, Fatmir Gashi këtë njoftim nuk e ka bërë të ditur para asamblesë komunale.

Por, këtë njoftim zyrtar, Gashi do ta bëjë në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit. Këtë e ka konfirmuar vetë Gashi në një prononcim për Llapi.info.

“E kam marrë një vendim nga kryetarja e AAK-së, Mrikë Thaçi për largimin nga partia të këshilltares Sfishta, ndërsa këtë njoftim përpara asamblesë do ta bëjë në mbledhjen tjetër”, ka deklaruar Gashi.

Llapi.info pati raportuar pak kohë përpara seancës për zgjedhjen e kryesuesit, pas takimit të Agim Velit me babanë e Tringës, Ismajl Sfishta, e që edhe ky i fundit ishte shkarkuar nga AAK-ja.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ia ktheu favorin ish- asamblistes së AAK- së, Tringë Sfishtës për votën e dhënë për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fatmir Gashit.

I pari i Podujevës, në vazhdën e emërimeve të drejtorëve të drejtorive, pati emëruar motrën e ish- këshilltares së AAK- së, Donika Sfishta, drejtoreshë të Kulturës Rinisë dhe Sportit./Llapi.info