Lista e përfituesve të bursave e publikuar nga Komuna e Podujevës nuk i përmbanë të gjitha të dhënat e përfituesve. Emri i prindit, vendbanimi, nota mesatare dhe drejtimi i studimeve, nuk janë publikuar.

Lista e përfituesve të bursave në Komunën e Podujevës u publikua me 3 prill 2015. Në listë figurojnë emrat dhe mbiemrat e 110 studentëve përfitues të bursës dhe 53 nxënësve të shkollave të mesme.

Nuk dihet se fëmijet e kujt fituan bursë komunale. Derisa, një burim brenda komunës, i cili për shkak të mos humbjes së vendit të punës, ka dashur të mbetet anonim, kishe thënë për llapi.info se fituesit e bursës komunale janë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Llapi.info sipas Ligjit nr. 03/L-215 për qasje në dokumente publike, kishte bërë kërkesë në Komunën e Podujevës për sigurimin e një kopje të listës së përfituesve me të dhënat e tjera jo të publikuara: Emri i prindërit, vendbanimi, nota mesatare dhe drejtimi i studimeve.

Por, Sabedin Namani, zyrtar për qasje në dokumente publike në Komunë e Podujevës, kishte kthyer përgjigje duke thënë se komuna nuk e posedon një dokument me të dhënat të cilat i kishte kërkuar llapi.info.

Portali “Llapi.info” kishte bërë kërkesë të dytë për rishqyrtimin e kësaj qështje, duke i bashkangjitur dokumente të cilat vërtetonin se Komuna e Podujevës e ka listën me të dhënat e lartpërmendura. Por, edhe përgjigja e dytë e komunës ishte e njëjtë. Komuna nuk e posedon një dokument të tillë.

Se komuna e posedon një dokument të tillë, u vërtetua edhe në intervistën e bërë me Xhevat Llugaliun, shef i arsimit në Komunën e Podujevës, njëherit kryetar i komisionit në përzgjedhjen e përfituesve të bursave, i cili në kompjuter i kishte të gjitha të dhënat për secilin aplikues.

Por, Llugaliu nuk e pa të arsyeshme të na i jepte ato të dhëna. Madje, për mospublikimin e të dhënave të tjera pati thënë së nuk është e nevojshme të publikohen sepse në Podujevë njihen të gjithë.

Ai tregoi shumën e ndarë nga komuna për bursa dhe dy emra të zyrtarëve komunal, fëmijet e të cilëve nuk fituan bursë komunale, por jo edhe të zyrtarëve tjerë, fëmijët e të cilëve mund të kenë përfituar bursë pasi përputhen mbiemrat e përfituesve me të zyrtarëve komunal.

“Nga 233 studentë që aplikuan për bursë, 110 janë përfitues të nga 350 eurove. 138 nxënës të shkollave të mesme aplikuan dhe 53 fituan nga 180 euro. Shuma e përgjithshmë që ndau Komuna e Podujevës për bursa është 48.040 euro. Janë dy zyrtarë komunal fëmijet e të cilëve nuk kanë fituar bursë në komunë, Ragip Jaholli dhe Nafije Gërguri, pasi fëmijët e tjerë të tyre fituan bursë universitare”, ka thënë Llugaliu.

Se një gjë e tillë kishte ndodhur e pranuan edhe Ragip Jaholli dhe Nafije Gërguri.

Pasi Komuna e Podujevës e kishte shkelur ligjin për qasje në dokumente publike duke mos i lejuar qasje në listën e bursës me të dhënat e kërkuara, portali “Llapi.info” ishte adresuar në institucionin e Avokatit të Popullit.

Pas dy javë pritjesh, Valbona Puka- Gjoka, këshilltare ligjore në këtë institucion, kishte kthyer përgjigje duke thënë se kemi të bëjmë me informata që hyjnë në kategorinë e të dhënave personale, dhe se duhet t’i drejtohemi Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale.

Llapi.info i është adresuar kësaj agjencie tash e disa javë, por ende nuk ka marrë përgjigje./Llapi.info

New Picture (6)

 

New Picture (7)

 

New Picture (11)