Nga gati 65 vjet sa ka Rexhep Bucolli, 50 i ka kaluar si zanatli. Por kurrë më mirë se tash nuk është ndier. Me makinë të qepjes e me lëkurë ai ka ndryshuar disa herë llojet dhe vendet e punës. Si 15-vjeçar kishte nisur në Prishtinë si çantapunues. Do të vazhdonte në Kamenicë si këpucëtar e mjeshtër i riparimit të enterierit të veturave.

Do të kthehej në Prishtinë, me kërkesë të djalit të tij. Kreativiteti prej artisti i Lulzim Bucollit dhe mjeshtëria e pjekur e të atit do të bënin kombinimin e nevojshëm për produktin inventiv që do ta quanin “Kokërrshilte”. Puna me të po ecën mirë, shkruan Koha Ditore.

Aq mirë, sa në një pasdite fillimgushti, Bucolli i vjetër nuk ka kohë për ta ndalë makinën as për të rrëfyer gjysmëshekullin e tij prej zanatliu.

Mjeshtri i shumë zanateve

E nga karrigia e tij para makinës së qepjes, në një podrum të flladitshëm në verën që përcëllon, Bucolli kthehet 50 vjet prapa.

“Kam nisur si 15-vjeçar, si e kam përfunduar shkollën fillore, si çantapunues. Kam punuar te një zanatli te Teatri Kombëtar. Aty i kam marrë hapat e parë”, thotë Bucolli, për t’i dhënë me këmbë pedales së makinës, edhe për një rend të qepjes së një kokërshilteje të re… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)