Përderisa po asfaltohen rrugët nëpër disa fshatra të Podujevës, në disa të tjera asfalti i shtruar para pak kohesh po shkatërrohet, shkruan Llapi.info.

Edhe pse s’është bërë një vit nga asfaltimi i rrugës në Llashushë të Podujevës, i njëjti është ‘çoroditur’ dhe i dëmtuar.

Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, kjo rrugë është asfaltuar para rreth shtatë muajsh.

Në bazë të pamjeve të siguruara, shihet asfalti i prerë derisa edhe është vështirësuar qarkullimi në këtë pjesë për automjete.

Ndërkaq, për mënyrën e asfaltimit të rrugëve kritika ka pranuar ekzekutivi komunal. Sipas këshilltarit të LVV-së, Fitim Haziri e përkundër investimeve, gjerësia, trashësia dhe cilësia e asfaltit është e dobët.

“Nëse flasim për investime edhe për standardet, bëhen standarde me cilësinë më të dobët. Edhe në trashësi e edhe për gjerësinë, e jo me bë shtigje për biçikleta. Shekullin 21 shtroni rrugë me tri metra gjerësi, kjo është e papranueshme dhe këto janë standarde që i praktikoni. Ka ndodhë që rastet që sot e keni shtru asfaltin keni dashur me riparua, as 24 orë s’janë bërë ai asfalt ka dështuar”, ka thënë ndër të tjerash Haziri në seancën e fundit të Kuvendit Komunal./Llapi.info