Gjatë ditës së djeshme, në Shajkoc të Podujevës filluan punimet për projektin e ujësjellësit që i bënë me ujë të pijshëm Orllanin me rrethinë, njofton Llapi.info.
Në vënien e gurthemelit mori pjesë ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, së bashku me të parin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryeshefin e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu.
Me këtë rast, i pari i Podujevës, Agim Veliu duke u shprehur i lumtur për fillimin e këtyre punimeve, shtoi se edhe Komuna ka kontribuar në këtë projekt.
“Komuna e ka hartuar projektin dhe për këtë vit ka ndarë një shumë prej 120 mijë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm planifikojmë të ndajmë edhe një shumë në bazë të nevojës që kërkohet”, ka thënë Veliu.
Mirëpo, këtë deklaratë e ka përgënjeshtruar drejtori i OJQ-së “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari. Ky i fundit ka thënë se komuna nuk ka ndarë buxhet për këtë projekt, madje sipas tij, ka munduar ta pengojë të njëjtin.
“Sot u vu gurthemeli për ndërtimin e ujësjellësit, për Orllanin dhe fshatrat përreth. U bë mirë URIME, por nuk duhet të harrojmë se pa presionin e banorëve dhe shoqërisë civile gjatë do të pritej e nuk do të fillonte!!! E pse? Sepse, kryetari Agim Veliu jo që ska dhënë kontribut për këtë projekt por e ka penguar sa ka mundur!! Ky është investim 100% i Qeverisë së Kosovës. Komuna e Podujevës as një cent(0) se ka dhënë për këtë projekt”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ky projekt do të fillonte ne vitin 2018 por komunës së podujevës iu kan dashur 6 muaj veç kërkesën me projekt me derguar në qeveri dhe kjo është arsyeja që ka dështuar vitin që shkoi. Agim Veliu s’ka pas çka doket hiç kah Orllani, ma me ftyrë ish dal. Banorët që kanë protestuar e dinë mirë sa herë janë injoruar nga baci Gim”, ka thënë tutje ai.
Ndryshe, realizimi i këtij projekti kap shifrat e 979. 880.40 euro.
Duhet përkujtuar se vetë banorët e Orllanit patën protestuar disa herë për mungesën e ujësjellësit, pasi që siç thoshin ata, gjysma e Kosovës furnizohet me ujë të pijes nga liqeni që shtrihet në tokat e tyre./Llapi.info