Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017. Platforma është rifreskuar me të dhëna për gjashtë mujorin e parë 2019, njofton Llapi.info.

Sipas këtij instituti, i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka përmbushur vetëm 9 nga 32 premtime që kishte bërë gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ndërsa, 8 prej tyre as që kanë filluar.

GAP ka publikuar edhe premtimet të cilat tashmë kanë përfunduar si:

1. Pyllëzimi i parkut të paqes me 3.5 hektar me fidane pishe të të gjitha llojeve në Podujevë. (Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës).

2. Lidhja e fshatit Dumosh me fshatrat e tjera përmes rrugëve të asfaltuara. (Vitin e kaluar është asfaltuar një rrugë rreth 300 metra në fshatin Dumosh. Ndërsa, në muajin dhjetor, është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kontratës për asfaltimin e rrugëve Balloc-Dumosh).

3. Finalizimi i projektit të ndërtimit të kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza, me gjatësi të përgjithshme afër 16 km, për fshatrat Lupç i Poshtëm- Majac-Popovë.

4. Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza Lupç i Poshtëm-Majac-Popovë ka përfunduar vitin e kaluar.

5. Instalimi i rrjetit të kanalizimit në fshatin Orllan. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe po ashtu ndërtimi i impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në këtë fshat ka filluar në vitin 2017 dhe është investim i Qeverisë Zvicerane.

6. Rregullimi i rrugëve dhe vendosja e sistemit të ndriçimit publik në lagjen e “Dëshmoreve” . Ky projekt nuk ka filluar. Por, komuna ka nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse për shtëpitë e rasteve sociale në Lagjen e Dëshmorëve-kyçja në rrjetin furnizues elektroenergjetik. (Për më shumë klikoni në këtë link).

Cilat premtime nuk kanë filluar akoma?

Gjithmonë sipas GAP, ndërtimi i sheshit nuk ka filluar. Po ashtu nuk filluar as ndërtimi i një aneksi të shkollës fillore në fshatin Obrançë. Vazhdimi i asfaltimit të rrugës kryesore në fshatin Bervenik deri në pjesën e skajshme. Përkrahje për zejtarët e qytetit, duke ju ofruar kushte me të mira pune si dhe mundësi për ekspozim të mallrave. Parkingu nëntokësor në zonën qendër (Podujeva I). Pajisja e banesave të qytetit me ashensor. Rregullimi dhe ndriçim i hyrjeve banesore. Kënde të lojërave për fëmijë si dhe kënde rekreative-sportive në fshatin Obrançë si dhe ndërtimi i një aneksi të shkollës fillore në fshatin Obrançë.

Sipas GAP, 10 premtime tjera kanë filluar, ndërsa 5 janë gjysmë të përfunduara. (Kliko në këtë link për t’u njoftuar më gjerësisht).

Kujtojmë, kryetari i Podujevës, Agim Veliu gjatë fushatës zgjedhore, më së shumti premtime ka bërë në infrastrukturë (20), (2) premtime në shëndetësi, (3) në arsim e për shërbime publike ai kishte bërë (7) premtime./Llapi.info