Objekti i destinuar edhe përfunduar për më shumë se një dekadë në rrugën “Skënderbeu” që të shpie për në fshatin Dumnicë, ditë më parë është përfshirë nga flakët, kur për pasojë pullazi i kësaj çerdheje ka pësuar dëme të madha materiale, raporton Llapi.info.
Shkaktarët e këtij zjarri që ka dëmtuar kulmin e kësaj çerdheje ende nuk dihen, por zyrtarët opozitarë kanë kritikuar komunarët për mos-funksionalizimin e këtij objekti për vite të tëra.
“Vazhdimisht Sektori i Arsimit në Komunën e Podujevës është përcjellë me probleme dhe vështirësi, si dhe papërgjegjësi nga ana e drejtuesve të këtij sektori, e sidomos nga ana e drejtorëve në vazhdimësi të Drejtorisë së Arsimit. Djegia e objektit të çerdhes ditën e shtunë pa u futur ende në funksion tregon për mos-seriozitetin mbikëqyrës të kryerjes së punëve këtu në këtë objekt”, është shprehur këshilltari i PDK-së në asamblenë komunale, Rafet Llapashtica.
Sipas tij, Podujevës i duhen më shumë çerdhe publike pasi që, siç thotë Llapashtica, në këtë komunë operon vetëm një.
“Mirë që aty brenda s’ka pasur fëmijë dhe objekti ishte i zbrazët dhe s’ka pasur ndonjë humbje edhe të jetëve të njerëzve. Nuk ka asnjë përgjigje zyrtare rreth rastit nga ana e zyrtarëve komunalë. Ne do të kërkojmë sqarim rreth këtij rasti dhe një raport në seancën e parë të radhës në Kuvend. Kjo tregon neglizhencën qeverisëse lokale në Podujevë, ku për nëntë vite nuk është në gjendje të funksionalizojë një çerdhe, e që nevoja për të është shumë e madhe dhe ka kërkesa qytetare duke krahasuar numrin e fëmijëve për kokë banori dhe në komunën tonë është vetëm një çerdhe publike. Ky muaj është muaj pushimi në bazë të planit të punës së kuvendit, por me fillim të punës ne do të kërkojmë sqarim rreth rastit në fjalë nga ana e drejtorisë së arsimit”, ka thënë tutje Llapashtica.
Në lidhje me këtë çështje, zyrtarë komunalë kanë thënë se në këtë objekt ka pasur zjarrvënie dhe se me rastin po merren organet gjegjëse. Ndërsa, sa i përket që nuk funksionalizuar, zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi, ka thënë për Llapi.info, se finalizimi i çerdhes ka mbetur peng i një kontesti gjyqësor në mes operatorit të mëhershëm me Agjencinë Kundër Privatizimit.
“Komuna e Podujevës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, është informuar se në objektin në ndërtim, i dedikuar për çerdhe, ka pasur zjarrvënie me ç’rast është dëmtuar kulmi i objektit. Me rastin është duke u marrë Policia e Kosovës, e cila është duke zhvilluar hetimet. Çështja e finalizimit të ndërtimit të atij objekti ka mbetur peng i një kontesti gjyqësor në mes operatorit të mëhershëm me AKP-në. Sapo të zgjidhet ky kontest gjyqësor Komuna do të zhvillojë procedurat për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e çerdhes në atë lokacion”, ka deklaruar Elezi.
Në anën tjetër, kritika në drejtim të ekzekutivit ka dhënë edhe partia më e madhe opozitare në Podujevë, Lëvizja Vetëvendosje. Sipas këshilltares së këtij subjekti partiak, Dorutinë Hasani çerdhja vazhdon të mos jetë funksionale, ani pse është shpenzuar në ndërtimin e saj.
“Komuna është treguar neglizhente në vazhdimësi sepse nuk është marrë me të edhe pse ne e kemi ngritur në media, madje kemi pasur edhe aksion. Komuna pra veç ka shpenzuar, e asnjëherë nuk e ka funksionalizu çerdhen edhe pse është shumë e nevojshme për komunitetin, ashtu siç ka bërë edhe me shumë projekte. Natyrisht se në seancë e radhës do të jetë ndër çështjet që do ta trajtojmë”, është shprehur për Llap.info, Doruntinë Hasani.
Ndryshe, për rastin e djegies së këtij objekti, Policia e Kosovës ka njoftuar se përveç dëmeve materiale, s’ka persona të lënduar dhe se rasti është duke u hetuar.
“Podujevë 03.08.2019-19:27. Është raportuar se në një objekt ka shpërthyer zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë policore dhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është dëmtuar pullazi i objektit. Të lënduar në këtë rast nuk ka pasur. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia./Llapi.info