As java e dytë e muajit gusht në qytetin e Podujevës s’ka kaluar pa incidente. Brenda një jave ndodhën aksidente, u arrestuan disa persona dhe u konfiskuan disa armë, raporton Llapi.info.

Mbrëmjen e së martës, katër persona janë arrestuar në magjistralen Prishtinë – Podujevë. Arrestimi i tyre është bërë pasi që janë kapur në flagrancë duke transportuar migrantë në drejtim të Serbisë.

“Magjistralja Prishtinë-Podujevë 06.08.2019-20:00. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj K-Shqiptar pasi që të njëjtit janë kapur në flagrancë duke transportuar migrant në drejtim të Serbisë. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Të enjten në rrugën “Zahir Pajaziti”, Policia ka bastisur një shtëpi, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë e gjuetisë dhe dy tytëshe me fishekë. Rasti ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit, teksa i njëjti, siç ka njoftuar PK-ja, shkon në procedurë të rregullt.

Në po këtë ditë, rreth orës 12:00 në rrugën “Xhemajl Mustafa” dy këmbësore janë goditur nga një veturë, ku për pasojë një 4-vjeçare ndërroi jetë.

“Si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja: A.Rr. femër (fëmijë) shtetase e Republikës së Kosovës, e cila nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të mara dhe e njëjta ka ndërruar jetë”, ka bëtë të ditur Policia në një komunikatë.

Ndërsa, shoferi i veturës “Golf” është arrestuar, teksa Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Podujevë, e ka dënuar me 30 ditë paraburgim.

Kurse të shtunën në mbrëmje, Policia e Kosovës ka konfiskuar arsenal armësh gjatë një ahengu familjar në Gllamnik të kësaj komune.

“Raportohet se pas marrjes se informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore nga tre të dyshuarit meshkuj K/Shqiptar kanë konfiskuar tri armë zjarri një AK-47, dy pistoleta dhe 21 gëzhoja të fishekëve të kalibrit të ndryshëm me të cilat armë të dyshuarit kishin shtënë gjatë një ahengu familjar”, thotë Policia.

Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kurse rastin Policia e ka cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Ndërsa, të dielën një rast dhune në familje është regjistruar në Komunën e Podujevës.

Sipas Policisë së Kosovës, një person është arrestuar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën i cili raportohet të jetë mashkull.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull K/shqiptar. Me vendim te prokurorit i dyshuari është dërguar ne mbajtje”, thotë PK./Llapi.info