Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Peran të Podujevës, raporton Llapi.info.
Sipas dëshmitarëve të cilët edhe kanë dërguar pamje në Llapi.info, në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona.
Rastin për Llapi.info e kanë konfirmuar edhe nga Qendra Emergjente e Podujevës. Nga atje kanë thënë se një person është dërguar për QKUK, ndërsa dy të tjerët janë duke u trajtuar në këtë qendër.
“Tre persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Një grua shtatzënë ka qenë në gjendje më të rëndë dhe e njëjta është dërguar për në QKUK të Prishtinës, ndërsa dy të tjerët janë duke u trajtuar ku po iu bëhen disa fotografime”, kanë thënë nga Emergjenca.
Ekipet policore kanë dalë në vendin dhe po hetojnë shkakun e kësaj përplasjeje.
Ndryshe, numri i aksidenteve në Kosovë vazhdimisht është në rritje, ku vetëm dje kanë ndodhur 74, prej tyre 29 kanë rezultuar me të lënduar.
Policia e Kosovës ka bërë apel tek shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.
Gjithashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë lansuar ditë më parë fushatën vetëdijësuese “10 rregullat e arta të sigurisë rrugore”, me qëllim të sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafik./Llapi.info