Komuna e Podujevës po planifikon vënien e qirasë për shtëpitë në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc, dy kategorive që janë të liruara nga shumë pagesa publike, njofton Llapi.info.

Krejt kjo është paraparë në Programin trevjeçar të banimit 2019-2021, i cili është miratuar në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin Komunal.

Pikërisht në këtë lagje banojnë kategoritë e luftës dhe ajo sociale, të dyja këto të liruara nga shumë pagesa.

“Komuna e Podujevës për momentin nuk ka banesa të ndërtuara nga Komuna, Qeveria dhe donatorët të cilat jepen me qira, por planifikohet që shtëpitë e ndërtuara në Lagje të Dëshmorëve t’iu caktohet një vlerë e qirasë për shfrytëzimin e tyre”, thuhet në këtë dokument.

Këtë dokument përpara asamblesë komunale e ka prezantuar edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi, i cili kërkoi nga këshilltarët që të japin mendimet dhe ta miratojnë këtë plan.

“Këtu e kemi një plan të banimit dhe mendoj se kjo do të jetë një vazhdimësi e një projekti që ka nisur më herët. Jemi munduar me bë një plan program për kategoritë e caktuara, por që e dimë që s’është perfekt”, ka thënë Thaçi.

Këtë kërkesë ka përkrahur në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Liridona Shabani.

“LKD e përkrahë këtë program, program ky i hartuar nga ekspertë vendorë dhe të jashtëm. Ky program ka qëllim zgjidhjen racionale të banimit social. Jemi të gatshëm të japim edhe kontributin në këtë fushë”, ka thënë Shabani.

Mirëpo, ky plan s’ia ka mbushur “syrin” partive opozitare në këtë komunë. Sipas këshilltarëve, plani s’është i konkretizuar.

“Rreth propozim-programit trevjeçar të banimit për vitet 2019-21 i kemi dhënë vërejtjet tona. Plani përgjithësisht është i dobët dhe joprofesional. Plani ka qenë më shumë formal se sa përmbajtësor. Në teren kemi parë se gjendja është e keqe dhe ky plan banimi nuk do ta zgjidh atë gjendje. Konstatojmë se s’është përmendur problemi i banimit”, ka thënë Vendenis Lahu i LVV-së.

Edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari ka dhënë vërejtje për këtë program.

“Për momentin Podujeva nuk ka banesa të ndërtuara nga Komuna, Qeveria donatorët, por planifikon që shtëpitë e ndërtuar në Lagjen e Dëshmorëve t’iu caktohet një vlerë e qirasë për shfrytëzimin e tyre. E kam dhënë një vërejtje edhe më parë dhe e njëjta s’është përmirësuar, andaj ka edhe raste të rënda atje që s’kanë mundësi ta paguajnë qiranë”, ka thënë Rudari. Më pas, ky i fundit e quajti të arsyeshme taksën prej një euro.

Ndërsa, Rafet Llapashtica ka hedhur kritika në drejtim të ekzekutivit, pasi që siç ka thënë ai, ky plan është i palogjikshëm.

“Është e palogjikshme që të vendoset taksë për ata që jetojnë në kontejnerë. Ka me përfundua plani 3 vjeçar edhe dikush ka mbet hala në kontejnerë”, ka thënë ai, duke kundërshtuar këtë, pasi që sipas tij, ky plan është i pa-konkretizuar se nuk është përmendur kur edhe sa do të jetë taksimi.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës Kuvendi me shumicë votash të pozitës miratoi Programin Trevjeçar i Banimit 2019 – 2021 në Komunën e Podujevës./Llapi.info