Foto: Llapi.info

Edhe 22 shtëpi do të ndërtohen për familjet në nevojë në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, njofton Llapi.info.

Për këtë, Komuna e Podujevës ka hapur edhe tenderin. E Sipas njoftimit të publikuar nga prokurimi, Komuna e Podujevës për kë të tender ka ndarë 270.000,00 euro.

Sipas njoftimit, kohëzgjatja e kontratës është paraparë të zgjasë jo më shumë se 12 muaj. Afati i fundit për pranimin e tenderëve është 02.09.2019 dhe të gjitha ofertat mund të dorëzohen në Platformën Elektronike.

Ndërkaq, gurthemeli për ndërtimin e shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës e kishte bërë kryetari i kësaj komune në qershor të këtij viti.

Me këtë rast, kreu i Podujevës, Agim Veliu pati thënë se do të angazhohet derisa të largohet edhe familja e fundit nga barakat në këtë anë.

“Projekti i ndërtimit të shtëpive në këtë lagje do të vazhdojë derisa ta largojmë edhe familjen e fundit, të vendosura në objektet montazh të banimit”, pati thënë Veliu, deklaratë kjo e përcjellë nga njoftimi i komunës.

Kujtojmë, më 28 nëntor të vitit të kaluar u patën ndarë 20 çelësa të shtëpive të reja, ku për këtë projekt kishte kontribuar edhe Ministria e Financave./Llapi.info