Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Llapi.info për aksionin e djeshëm në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Siç mëson portali, aksioni i njësiteve përkatëse policore është zhvilluar edhe në qendër të Podujevës në rrugën “Zahir Pajaziti”, me ç’rast janë kontrolluar lokale të dyshuara për organizim të bixhozit të paligjshëm.
Me këtë rast, janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Të shtunën, njësitet policore te Podujevës, të mbështetur nga Njësiti për reagim te shpejtë, kanë zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për urdhër-kontroll në tri lokacione, lidhur me dyshimet e bazuara për veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Në këtë operacion janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 13 shtëpiza kompjuteri, 5 printerë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si dëshmi për rastet në fjalë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Aktualisht hetuesit policorë janë duke kryer procedurat e nevojshme para se rasti të kalojë në institucionet kompetente, thuhet tutje në komunikatën e Policisë./Llapi.info