Incidente jo të pakta kanë ndodhur javën e kaluar në qytetin e Podujevës. Brenda një jave në këtë anë janë arrestua disa persona për vepra të ndryshme penale, raporton Llapi.info.
Kësisoj, të hënën e 19 gushtit, në këtë Komunë një person është arrestuar, pasi që i njëjti ka kanosur me armë një person tjetër.
“Rr. “Afrim Zhitia”, Podujevë 19.08.2019 – 20:00. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti duke ekspozuar një revole kishte kanosur viktimën mashkull K-Shqiptar. Pistoleta me 15 fishekë është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha Policia në raportin e saj.
Më 6 gusht në magjistralen Prishtinë – Podujevë u arrestuan katër persona pasi që janë kapur në flagrancë duke transportuar migrantë në drejtim të Serbisë.
Ndërsa, Njësitë e Hetimeve të Policisë Kufitare kanë arrestuar edhe pesë persona tjerë të dyshuar, për shkak se të njëjtit në mënyrë të vazhdueshme për përfitim material kanë kontrabanduar shtetas të ndryshëm nga Qendra për Azil në Magure në drejtim të Serbisë me qëllim të shkuarjes së tyre në vendet e BE-së.
Sipas PK-së, dy nga të dyshuarit janë punëtor të sigurimit në Qendrën e Azilit në Magure. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Të mërkurën një person i kërkuar është arrestuar rreth orës 14:00 në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës. Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata.
“I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese të Burgut në Dubravë”, bënë të ditur PK.
Përveç që është bërë e ditur se i dyshuari ka qenë i kërkuar, Policia e Kosovës s’e ka bërë të ditur arsyen e vënies së prangave.
Ndërsa, të enjten një i dyshuar është arrestuar në Podujevë, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar me thikë një person.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës në raportin e saj ditor, teksa viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur një thikë që dyshohet të jetë përdorur në rast.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet. Incidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Zahir Pajaziti”, kurse Policia e ka cilësuar rastin si “vrasje në tentativë”.
Ndërkaq, gjashtë persona janë arrestuar të shtunën në Podujevë për organizim të skemave piramidale.
Sipas njoftimit të Policisë, dy persona janë arrestuar të shtunën në rrugën “Zahir Pajaziti” nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë organizuar lojëra të fatit.
“Janë konfiskuar pesë shtëpiza kompjuterike, një printer dhe 69.70 euro para të gatshme. Me vendime të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në rrugën “Nuhi Gashi” janë arrestuar dy të dyshuar pasi dyshohet se të njëjti kanë organizuar lojëra të fatit.
Në lokalin që ata operonin janë konfiskuar katër shtëpiza kompjuterike, tre printer, disa tiketa dhe 56.25 euro para te gatshme. Me vendime të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Kurse, në rrugën “19 Qershori” janë arrestuar dy të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjti kanë organizuar lojëra të fatit.
“Janë konfiskuar katër shtëpiza kompjuterike, një printer, disa tiketa dhe 165.45 euro para te gatshme. Me vendime të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet ndër të tjera në njoftim e PK-së.
Mëngjesin e së dielës tri vetura (një e Policisë) janë përfshirë në një aksident në fshatin Zakut. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar tre persona.
“Është raportuar për një aksident trafiku në mes të tri automjeteve. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar tre persona, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar sot Policia.
Ndryshe, gjatë ditë së djeshme në liqenin e Batllavës është fundosur një person, trupi të cilit po vazhdon të kërkohet edhe sot. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës./Llapi.info