Nënkryetari i parë i LDK-së dhe kryetari i degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu i ka uruar mirëseardhje kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani në tubimin e mbajtur sot në shkollën “Ibrahim Rugova”, njofton Llapi.info.

Me këtë rast, Veliu tha se dega e LDK-së në Podujevë edhe këtë herë është mobilizuar fuqishëm që ta rris votën për LDK-në, për kandidaten për kryeministre dhe kandidatët e degës për deputetë.

“Po hymë në zgjedhjet e 15-ta me radhë dhe me mburrje e krenari e themi që LDK në Llap, në të gjitha këto procese nuk njeh rezultat tjetër përveç fitores. Vazhdojmë të jemi të parët, sepse ne jemi alternativa më e mirë për qytetarin. Krejt kjo është arritur me punë të përbashkët. Dega e LDK-së në Podujevë edhe këtë herë është mobilizuar fuqishëm që ta rris votën për LDK-në, për kandidaten për kryeministre dhe kandidatët e degës për deputetë”, ka shtuar Veliu.

“Nominimi i Vjosës për kryeministre shënon një momentum të rëndësishëm politik. Fryma e fytyrës sonë ka arritur kudo. Në të besojnë të gjithë të rinjtë e të rejat, burrat dhe gratë dhe besojnë edhe ata që kishin humbur shpresën skajshmërisht nga qeverisja abuzive e PAN-it. Prandaj, s’ka fije dyshime se pritjet tona do të kurorëzohen me besimin qytetarë të shprehur në votë për LDK-në”, ka potencuar ai.

Komuna e Podujevës e udhëhequr për gati dy dekada nga LDK-ja, në vitet e fundit ka qenë ndër komunat më të prekur nga ikja e të rinjve. Bile në vitin 2018 sipas një raporti të ASK-së, (972) qytetarë iu larguan Komunës së Podujevës. Ndërsa, sot i pari i Podujevës, Agim Veliu ka thënë se nga qeverisja e LDK-së do t’iu kthehet shpresa të rinjve.

“Qeveria e re e udhëhequr nga LDK do t’ia kthej shpresën qytetarëve të vendit për një shtet normal, ndërsa Llapin e diskriminuar skajshmërisht këto dy vite fundit do ta kthej në një zonë investive. Zotohemi para jush se LDK-ja në Llap do të dal bindshëm fituese edhe në këto zgjedhje, për të mbetur kështu shtylla kryesore e LDK-së në fitoret e saj. LDK dhe lista jonë fituese është shpresa jonë e vetme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar fjalimin Veliu./Llapi.info