Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka reaguar për gjendjen e rrugëve të qytetit të Podujevës, njofton Llapi.info.
Haziri, duke shtuar për gjendjen e rrugës së qendrës që sipas tij i ngjanë një shkretëtire, ka theksuar se edhe në rrugën “Ali Ajeti” ka filluar gërryerja e asfaltit pothuajse i ri. E krejt kjo po bëhet, sipas Hazirit, për shkak se kjo dukuri shfaqet në këtë komunë pak para zgjedhjeve.
“Derisa rruga “Zahir Pajaziti” është në gjendje të mjerueshme dhe i ngjanë ndonjë shkretëtirë afrikane, sot qeverisja komunale paska filluar gërryerjen e asfaltit pothuajse të ri në rrugën “Ali Ajeti”, e më këtë edhe të buxhetit, dukuri kjo që na shfaqet në komunën e Podujevës gjithnjë para zgjedhjeve”, ka shkruar Haziri në Facebook.
“Ky është keqpërdorim i trefishtë i taksave të qytetarëve: Shkatërro asfaltin e padëmtuar, shtro asfalt të ri pa kualitet e me kosto të lartë, dhe natyrisht në çdo në çdo metër katror asfalt një përqindje shkon te ai që e ka dhënë tenderin. Ju do t’i thoni stop kësaj dukurie në kutia votimi, e ne në qeverisje!”, ka përfunduar ai./Llapi.info