Llapi dhe Drita kanë ndarë pikët në kryendeshjen e xhiros së pestë në Superligën e Kosovës, njofton Llapi.info.

Dueli i ‘çmendur’ solli katër gola, nga dy për secilin ekip. Llapi i Tahir Batatinës është vështirë të thyet në fortesën “Zahir Pajaziti”. Këtë e dëshmoi edhe në ndeshje ndaj Dritës, teksa barazoi rezultatin në minutat shtesë të ndeshjes.

Pas këtij barazimi, trajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina ka mbetur i kënaqur nga futbollistët e tij, pasi që siç thotë ai, treguan forcë dhe karakter deri në minutat e fundit të ndeshjes,

“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë duke parë edhe kualitetet që ka ekipi i Dritës. Realizuam një gol të hershëm, por më pas pësuam dy të tjerë. E rëndësishme ishte që u rikthyem në lojë edhe pas disavantazhit dhe barazuam rezultatin, pasi që kjo tregon forcën dhe karakterin e ekipit. Kam kërkuar vazhdimisht nga futbollistët që të angazhohen në fushën e lojës dhe të luajnë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit”, deklaroi Batatina pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”.

Tekniku llapjan ka folur edhe për xhiron e fundjavës që takon skuadrën e tij me atë të Flamurtarit.

“Flamurtari është një skuadër tejet cilësore dhe e respektuar, por ne do të udhëtojmë për pikë të plota”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj paraqitjeje, Tahir Batatina zbuloi se objektivi kryesor i Llapit është që të eksportojë futbollistë sa më shumë drejt Evropës.  

“Objektivi ynë pothuajse çdo vit është për të shitur lojtarë në tregun evropian dhe këtë e kemi bërë gjatë dy viteve të kaluara dhe besoj shumë që edhe këtë vit do të vazhdojmë që eksportojmë futbollistë për Evropë. Paraqitja e Selmanit në këtë ndeshje ishte fantastike dhe është një djalosh me potencial të madh dhe me një të ardhme të ndritur”, përfundoi Batatina.

Llapi tani numëron tetë pikë dhe gjendet në pjesën epërme të tabelës./Llapi.info