Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sot ka mbajtur takim me banorë të fshatit Sekiraqë të Podujevës, me të cilët ka bashkëbiseduar për temat e ndryshme, njofton Llapi.info.
Kreu i AAK-së, në një moment ka kritikuar edhe disa politikanë kosovarë të cilët po shkojnë në Tiranë për t’u këshilluar, duke shtuar se Tirana mezi po i kryen punët e veta.
“Ka njerëz tanë që po shkojnë në Tiranë, a Tirana mezi po i kryen punët e veta. Po ata shkojnë atje me marr drejtimin qysh me u qeverisë Kosova, se nuk po guxojnë ose s’po besojnë që edhe ne jemi popull, jemi shtet, mund të qeverisim veten”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj në këtë takim tha se përkrahjen në Podujevë duhet ta marrin pikërisht kandidatët nga treva e Llapit.
“Nuk është e lehtë në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk do të ishte keq që votat t’ia jepni njerëzve të juaj, do të thotë të Llapit. Nuk është hajt kushdo që të bëhet njësoj është, nuk është qashtu. Un kam vuajtur prej zgjedhjeve se nuk kam zgjedhur mirë e s’ma ka qitur mirë. Mos e leni edhe ju qytetarë të Llapit dhe kësaj treve, mos e leni që veç ta merr dikush, kur po e merr dikush tani po vajtojmë katër vjet, u mbytem t’u ankua. Le ta merr dikush që donë me i krye punët, le ta merr dikush që është i sinqertë, i përgjegjshëm e i vërtetë”, ka thënë Haradinaj, duke aluduar për t’i përkrahur kandidatët e AKK-së në këtë degë.
I pari i AAK-së, parti kjo e cila në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me PSD-në, ka folur edhe për kundërshtarët politikë dhe premtimet e tyre.
Ai ka thënë se qeverisjen me PDK-në e ka ndërprerë sepse kjo parti, siç ka thënë ai, është treguar e paqëndrueshme atëherë kur i është dashur vendit më së shumti.
“Kam punuar me PDK-në, në momente kyçe s’janë treguar të qëndrueshëm, bash kur ish më së ndjeshmi ata i lypshin skajet – qoshet. Ashtu nuk bëhen punët e vendit, kur o puna për zor që thotë populli aty duhet me kanë. Tash po del po thotë e luftojë korrupsionin po më duket si 1 prilli, kur po thotë Kadriu e luftojë korrupsionin tamon 1 prilli”, ka shtuar Haradinaj./Llapi.info