Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, sot është takuar me të rinjtë tek parku në Sllatinë të Fushë Kosovës.
Bashkë me Kurtin ishin edhe kandidatët për deputet nga kjo parti, Albana Gashi dhe Avni Zogiani.
Kurti para të rinjve tha se nëse ai do të jetë në Qeveri do të mbrojnë mjedisin dhe se do të pastrojnë Kosovën.
“Te dielën e 6 tetorit votojmë individualisht ne, dhe fitojmë të gjithë bashkë, për të punuar bashkë për ndryshimin për të rinjtë, punësimin dhe për gratë” .
“Me qeverisjen tonë të re do ta mbrojmë mjedisin , do ta pastrojmë Kosovën, do ta pyllëzojmë Kosovën, se këta e kanë shpyllëzuar, do e rregullojmë shtratin e lumenjve që kur të kemi të reshura mos të kemi telashe”.
“Ministria e Mjedisit deri më tani e ka pas rolin e shpronësimit e jo të mbrojtjes së mjedisit e me neve kjo nuk do të ndodhë. Kushtetua e dytë është planifikimi hapësinor dhe mjedisi, toka, uji, ajri. Pra këto që janë jeta jonë.”
“Ne nuk fitojmë për inati të askujt por për të rinjtë dhe ndryshimin për të sjell në vend. Nuk mundet shteti i Kosovës të mbledh tatim dhe të ketë legjitimitet, kur çdo natë në lajme dëgjojmë skandale korruptive të Qeverisë. Ne me qeverisjen tonë do i bëjmë dy gjëra mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen”, është shprehur ai.