Foto: Llapi.info

Një serb, i ashtuquajtur kryetar paralel me vendbanim në Kurshumli të Serbisë, dyshohet se paguhet me vite nga buxheti i Komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.

Këtë çështje sot e ka ngritur përpara asamblesë komunale, këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, në seancën e rregullt të mbajtur në Kuvendin Komunal.

Duke adresuar pyetje tek drejtorët e drejtorive, në mungesë të prezencës së kryetarit të Podujevës, Agim Veliu dhe nënkryetarit, Nexhmi Rudari, Llapashtica ka theksuar se i njëjti vazhdon të paguhet për çdo muaj nga Komuna e Podujevës pa punuar fare.

“Kam dëgjuar që një i ashtuquajtur kryetar paralel i cili qëndron në Kurshumli me kabinetin e vet e merr pagën nga Kuvendi Komunal i Podujevës që s’jeton në Podujevë. Për këtë ai vjen këtu nën përcjellje. Në seancën tjetër do të kërkojë prapë nëse merr, qysh e merr? Pse e merr nga buxheti i Komunës së Podujevës? Drejtori i Financave, Isuf Latifi më dëgjoi, por doli nga salla, besoj se ky e din më mirë. Edhe ti si kryesues t’u kisha lutur që të interesohesh se a merr kabineti i ashtuquajtur kryetar paralel pagën? Nëse e merr për çfarë paguhet edhe pse paguhet. S’po dojmë me besua që e merr, po kam të dhëna që me të parin me doganë vjen me përcjellje në Komunë vetëm për të marrë rrogën. Më kanë thënë njerëz që çdo muaj me të parin vjen edhe e merr rrogën. Këtë e kisha si pyetje se te kish përfaqësue minoritetin serb ish kanë shumë okej. Pra, nëse paguhet si kryetar paralel njëjtë me kryetarin Veliu edhe pse s’është i subjektit të vet politik, unë po të tregojë që atë duhet me ndërpre”, ka thënë ai.

Edhe pse i pranishëm duke e dëgjuar të njëjtën pyetje, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Podujevë, Isuf Latifi, nuk ka dhënë përgjigje e as nuk e ka demantuar këtë, por i njëjti ka lëshuar sallën e Kuvendit.

Në anën tjetër, sa i përket punës së Drejtorisë së Administratës, drejtori Gëzim Namani, në një përgjigje ka shtuar se nuk është në dijeni për këtë çështje.

“Në lidhje me pyetjen paraprake, nuk jam në dijeni se dikush nga strukturat paralele merr pagë, e as ndonjë i Komunës që shkon e merr në Merdare edhe e sjell këtu. Për pjesën financiare besoj do të jeni i informuar nga drejtori përkatës, ndërsa në pjesën e transportit s’jam në dijeni”, ka thënë Namani.

Përkundër kësaj, këshilltari Llapashtica ka thënë se do të këmbëngul për çdo lloj shpenzimi që bëhet në lidhje me këtë, pasi që siç pretendon Llapashtica, serbi merr pagë çdo muaj nga buxheti i Komunës së Podujevës./Llapi.info