Llapi ka shënuar fitore të thellë 1-5 si mysafir i Flamurtarit, ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin “Xhemajl Ibishi” në kryeqytet, raporton Llapi.info.

Bardhë e kaltrit nga Podujeva e nisën mirë këtë duel, duke mbyllur pjesën e parë me rezultat 3-0.

Fillimisht Mërgim Pefqeli realizoi në minutën e 12’, teksa dy minuta më vonë mesfushori Mentor Zhdrella ngriti shifrat në 2-0. Krejt në fund të pjesës së parë, Blendi Memaj realizoi për 3-0, kur po zhvillohej minuta 45’.

Për dallim nga pjesa e parë, nikoqirët e nisën më mirë pjesën e dytë duke shënuar gol qysh në minutën 47’ me anë të Angel Granchov.

Ishte Blendi Memaj ai që realizoi golin e katërt për Llapin dhe të dytin personal në këtë ndeshje, kur po zhvillohej minuta e 65’ e takimit. Ndërsa, për epilogun përfundimtar u përkujdes Angel Granchov i Flamurtarit që shënoi autogol, duke ngritur kështu shifrat në 1-5.

Ndërkohë, pas gjashtë xhirosh, kjo ishte fitorja më e thellë deri më tani në këtë edicion në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Pas kësaj fitoreje, Llapi arrin në kuotën e 11 pikëve aq sa ka edhe Drita në vend të tretë, ndërsa Flamurtari mbetet me 7 pikë më pozitën e shtatë.

Në ndeshjen e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Dukagjinin, kurse kuq e zinjtë e kryeqytetit udhëtojnë në Mitrovicë për t’u ndeshur me Trepçën ’89./Llapi.info