Është asfaltuar segmenti i dytë në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, njofton Llapi.info.

Për t’i përcjellë nga afër këto punime kanë dalë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe nënkryetari, Nexhmi Rudari.

Këtë e ka bërë të ditur Veliu në një postim në rrjetin social Facebook, duke shtuar se ky projekt kompleton infrastrukturën nëntokësorë.

“Krahas asfaltimit, ky projekt kompleton infrastrukturën nëntkësore në qytet, si: rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik, si dhe rrjetin e rrymës elektrike dhe telefonisë kabllore. Do të vazhdohet me punime në ndërtimin e trotuareve dhe rrjetit të ndriçimit publik”, ka shkruar Veliu në Facebook.

Edhe pse punimet përgjatë kësaj rruge që nga “Hotel Besiana” ishin nisur në maj të këtij viti, sot është përfunduar me asfaltim. Ndërsa, pritet në nis ndërtimi i trotuareve.

Pas kaq muajsh, në kohë sezone, bizneset buzë kësaj rruge e kanë pasur të pamundur punën e zakonshme, e që për këtë i pari i Podujevës thotë se është i vetëdijshëm.

“Falënderoj banorët dhe bizneset që shtrihen përgjatë kësaj rruge, për ndihmën dhe mirëkuptimin e treguar gjatë realizmit të këtij projekti, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur në qarkullim gjatë zhvillimit të punimeve”, ka deklaruar tutje ai.

Ndërkohë, ndërtimi i infrastrukturës përcjellëse, siç quhej projekti, ka nisur vitin e kaluar, të njëjtat do të vazhdojnë edhe përgjatë këtij viti, e që kostoja e saj kap shifrën e rreth 1.1 milion euro.

“Kostoja për këtë është 1 milion 145 mijë euro”, pati thënë kohë më parë për Llapi.info drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha.

Kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë se është keqpërdorë paraja publike në rrugën kryesore të kësaj Komune. Sipas tyre, rreth 160 mijë euro janë çuar dëm në kohë të fushatës, pasi ishte ri-shtresuar me asfalt pak para zgjedhjeve./Llap.info

Image may contain: 4 people, people standing and outdoor