Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 dhe parashikimet buxhetore 2021-2022 si dhe ka miratuar disa vendime për dhënien në shfrytëzim të disa pronave të paluajtshme komunale, transmeton Llapi.info.
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka shqyrtuar propozimin e vendimit për miratimin e Projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2020 dhe parashikimet buxhetore 2021-2022 si dhe ka shqyrtuar propozim vendimin për dhënien e pronës së palujtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë; Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK); propozim vendimin për dhënien e pronave të palujtshme në shfrytëzim afatshkurtër Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS); propozim vendimi për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së palujtshme të Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm, si dhe informatën e Drejtorisë së Arsimit lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2019/20
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 dhe parashikimet buxhetore 2021-2022.
Drejtori Latifi tha se Ministria e Financave ka përcaktuar kufijtë final të buxhetit për vitin 2020 dhe projeksionet për vitin 2021-2022
“Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2020 është 24,086,269.00 euro. Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: nga Grandi Qeveritar në shumën prej 22,669,708.00 euro dhe nga të hyrat vetanake në shumën prej 1,416,561.00 euro”, tha drejtori Latifi.
Më tej ai ka prezantuar shpenzimet e ndara sipas kategorive ekonomike, planifikimin dhe strukturën e ndarjes së mjeteve nëpër drejtoritë përkatëse.
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi ka miratuar Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 dhe parashikimet buxhetore 2021-2022.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për dhënien e pronës së palujtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK); propozim vendimin për dhënien e pronave të palujtshme në shfrytëzim afatshkurtër Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS); propozim vendimi për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së palujtshme të Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm.
Drejtori i drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, në mbledhjen e sotme ka prezantuar informatën lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2019/20.
Gjithashtu, në seancën e sotme u bë edhe plotësimi i përbërjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku znj. Albina Avdiu – kyesuese e Komitetit për Komunitete, u emërua anëtare sipas pozitës zyrtare./Llapi.info