Policia e Kosovës, Prokuroria, PZAP dhe KGjK mbajtën takim pune lidhur me programin orientues të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 6 tetor 2019.

“Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme janë duke shkuar mirë, edhe pse një proces i tillë i madh është vështirë që të përthekohet në një kohë të shkurtër. Por me një angazhim edhe me akterë të tjerë po besojmë që në fund do rezultojë mirë, deklaroi Enis Halimi, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së.

Ndërkaq, në lidhje me rendin dhe sigurinë foli drejtori i operacioneve në polici, Afrim Ahmeti, i cili deklaroi se policia ka ndërmarrë veprimet e duhura për fushatën dhe zgjedhjet, si dhe u bëri thirrje të gjithëve që të raportojnë për parregullsi. E të njëjtit mendim ishte edhe koordinatorja nacionale, Laura Pula, duke theksuar se duhet të mbrohet vota e lirë e qytetarëve.

Sa i përket shqyrtimit të ankesave, Gyltene Sylejmani nga PZAP-ja deklaroi se janë duke punuar madje edhe me orar të zgjatur të punës që nga dita kur është shpallur data e zgjedhjeve.

“86 ankesa kemi pas deri në këtë fazë të punës. Të gjitha palët duhet ta respektojnë kodin e mirësjelljes dhe t’i shmangen gjuhës së urrejtjes gjatë kësaj kohe”, u shpreh ajo.