Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën elektorale me tubim madhështor në qytetin e Mitrovicës.
Kandidatë për deputetë në krye me kryetarin e kësaj partie, Kadri Veselin, që njëherit është edhe kandidat për kryeministër, anëtarë, simpatizantë, e qindra qytetarë po marrin pjesë në këtë hapje në sheshin e Mitrovicës, që është edhe vendlindja e Veselit, shkruan Indeksonline.
Kryetari i degës së PDK-së në Mitrovicë, Bedri Hamza, mori fjalën para të pranishmëve duke thënë se kjo është partia më e madhe në vend dhe e para, shtetformuese dhe shtetndërtuese.
“Çdo sukses në shtetin tonë mbart vulën e PDK-së. Parti me vizion dhe synim të përhershëm. S’jemi të pagabueshëm dhe perfekt, por jemi të përgatitur, të guxhmishëm për të vazhduar punën. Jemi krenar që Veseli është i lindur dhe rritur në Mitrovicë, në një familje punëtore, bujare dhe kombëtare. Një njeri familjar, intelektual dhe i guxmshëm, dhe sigurisht ky masovitet garanton fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit. Z. Veseli e ka vizionin e qartë, të gjitha atributet për një kryeministër. Urime fitorja, urime z. kryeministër”.
Ndërsa, Veseli foli para mitrovicave, duke thënë se ndihet i nderuar që këtë hapje po e bën në vendlindjen e tij.
“Unë jam sot këtu në Mitrovicë, në qytetin tim të dashur, në vatrën e atdhedashurisë, në vendin që më frymëzoi dhe ku nisa rrugëtimin jetësor. Jam sot këtu në Mitrovicë si biri juaj, për ta nisur me këmbë të mbarë rrugëtimin e ri dhe për ta nisur fitorën e PDK-së.Kam zgjedhur Mitrovicën se Kosova është mirë vetëm Mitrovica është mirë. Po me 6 tetor do ta festojmë fitorën e PDK-së, fitoren e Kosovës, të rinjve tanë të mrekullueshëm, që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në vendin e tyre.
Sepse ju e dini kur fiton PDK, fitojnë të gjithë, fiton Kosova. Për të fituar Kosova ne duhet të bëhemi bashkë, mos të ketë ndarje, për të ardhmen e një Kosove pa korrupsion e nepotizëm, me ekonomi të fuqishme e me vende pune. Të ardhmen e një Kosove që mbron territorin dhe sovranitetin dhe që fuqizon partneritetin me SHBA-të dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. A nuk e çliruam Kosovën me një luftë të guximshme, të jeni të sigurt se sa të jenë gjallë bijtë e Shalës, të Azem Galicës, e Drenicës. Mitrovica do të jetë përjetë një. S’ka çmim për liri, nuk ka çmim për Mitrovicën. Ne ishim pak në fillim, se besimi se do ta fitonim lirinë ishte i vogël, por çdo dit u rrit besimi dhe iu bashkuan të rinjtë, kur u pa se ishim të vendosur ta fitonim lirinë na ndihmuan edhe SHBA-të dhe miqtë ndërkombëtarë”, tha ndër të tjera Veseli.
Ndryshe, na ndajnë edhe 12 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit.