Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten gjatë një tubimi elektoral në Malishevë se kandidimi i saj është mesazhi që LDK-ja u ka drejtuar të rinjve kosovarë.

“Me kandidimin tim për kryeministre, LDK-ja u ka dërguar mesazh krejt të rinjve për rolin që ata kanë për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Osmani, sipas të cilës, LDK-ja do të angazhohet për krijimin e kushteve që të rinjtë e Kosovës ta shohin të ardhmen e tyre në atdheun e tyre.

“Për ne 6 tetori është referendum, ku secila familje vendos për të ardhmen e fëmijëve të vet, secila familje, secila nënë e këtij vendi dhe secili prind do të vendos më 6 tetor nëse është për ikje apo për qëndrim dhe ne kemi vendosur të jemi qëndrestar dhe kemi vendosur që rinisë tonë t’u krijojmë kushte të tilla me të cilat krenohen dhe të gjejnë perspektivë brenda Kosovës e jo ta shohin pasaportën e tyre vetëm si dokument për ikje”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se për LDK-në, rinia është pasuria më e madhe e këtij vendi, është arsyeja pse i kemi hyrë kësaj beteje dhe është arsyeja pse do të fitojmë.

Por, Osmani ka theksuar gjithashtu se kjo nuk është vetëm betejë e gjeneratës tonë. “Është betejë e një populli të tërë dhe është betejë të cilën do ta fitojmë me punë e nder, sepse LDK asnjëherë në historinë e saj nuk ka përdorë mjetet të ndyta, e jo demokratike qysh po tentojnë të tjerët duke blerë vota e duke shpifur. Ato metoda neve nuk na duhen, sepse ata mund t’i kenë paratë e pista, por ne i kemi qytetarët e Kosovës dhe vullnetin e tyre”, ka thënë Osmani.