Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e dje është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë; miratoi Planin operativ lokal (2019-2020) sipas Strategjisë për parandalimin ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm (2015-2020) si dhe u informua për gjendjen e pyjeve, transmeton Llapi.info.
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë tre muajve të fundit; propozimin e Planit operativ lokal (2019-2020) sipas Strategjisë për parandalimin ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm (2015-2020); informatën për gjendjen e pyjeve si dhe; masat parandaluese kundër dukurive negative (përdorimi i narkotikëve, vjedhjet, dhuna etj.).
Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunë e Podujevës, raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Zogiani, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë.
Ai tha se në periudhën raportuese ka rënie të rasteve të ndryshme të kundërvajjes dhe penale të raportuara në Polici, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit ta kaluar, por se ka rritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje.
Komandanti Zogiani tha se punën e Stacionit Policor në Podujevë do ta bëjë bën më efikase edhe plotësimi i personelit me 17 zyrtarë të rinj policor.
Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.
Në takimin e sotëm u shqyrtua dhe u miratua Plani operativ lokal (2019-2020) sipas Strategjisë për parandalimin ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm (2015-2020).
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Vezir Januzi, prezantoi një informatë për gjendjen e pyjeve. Ai tha se për dallim nga pranvera kur kishte një numër të konsiderueshëm zjarresh, gjatë muajve të verës nuk ka pasur zjarre përmasash shqetësuese në pyje. Drejtori Januzi tha se gjatë këtij viti është shënuar edhe rënie e rasteve të dëmtimit-prerjes ilegale të pyjeve.
Në takimin e sotëm u diskutua edhe për masat parandaluese kundër dukurive negative (përdorimi i narkotikëve, vjedhjet, dhuna etj.). Pjesëmarrësit në diskutime theksuan e nevojën e vazhdimit të angazhimit, përmes fushatave vetëdijësuese dhe ligjëratave nëpër shkolla, me qëllim të parandalimit të këtyre dukurive negative dhe të rrezikshme, veçmas për rininë.
Komandanti i Policisë tha se do të vazhdohet me ligjërata vetëdijësuese nëpër shkolla, që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, kundër përdorimit të substancave narkotike dhe rreziqeve të tjera që u kanosen të rinjve./Llapi.info