Pas takimeve të shumta që pati në New York, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se situata është shumë e vështirë dhe tejet e komplikuar sa i përket çështjes së Kosovës.
Megjithatë sipas tij, në aspektin taktik duhet shikuar të gjitha proceset që të shtyhen përpara me qëllim që të krijohet një pozicion më i favorshëm për popullin serb, transmeton Telegrafi.
Gjatë një interviste dhënë televizionit serb Prva, Vuçiq ka bërë një përmbledhje nga takimet që i ka zhvilluar në New York me përfaqësuesit e fuqive të mëdha, sa i përket integritetit territorial, ku ka pranuar haptas se vetëm Sergey Lavrov nga Rusia flet për integritetin territorial të Serbisë, derisa të gjitha vendet tjera sipas tij po i fajësojnë se po shkelin integritetin territorial të vendeve tjera.
“Lufta taktike do të vazhdojë, e sa i përket strategjisë mund të flasim vetëm atëherë kur të kemi ndonjë marrëveshje e cila do të ishte vendimtare nga ana strategjike, e të gjitha çështjet tjera do të ishin lëvizje taktike”, ka shtuar presidenti serb.
Por, Vuçiq ka pranuar se vendi i tij është larg arritjes së marrëveshjes me Kosovën, duke theksuar se bëhet fjalë për trurin e njerëzve – dëshirat e serbëve dhe shqiptarëve dhe atë nëse mund të kuptojnë këta dy popuj se çfarë e ardhme i pret.
“Mund të ndodh pas pesë muajve, por mundet edhe pas 50 viteve, por edhe mund të mos ndodh kurrë”, është përgjigjur Vuçiq kur është pyetur sesa afër apo larg është Serbia nga arritja e marrëveshjes.