Granit Xhaka është bërë kapiten i përhershëm tek gjiganti anglez Arsenal.
Në fakt ylli prishtinas ka marrë besimin e bashkëlojtarëve të klubit, pasi trajneri Unai Emery kishte vendosur zgjedhje brenda klubit.
Të gjithë lojtarët kanë votuar për kapitenin e ri të skuadrës dhe Granit Xhaka ka qenë bindshëm më i votuari nga bashkëlojtarët e tij.
E kjo ka qenë arsyeja që Emery e ka vendosur si kapiten të përhershëm Xhakan.
“Në dhomën e zhveshjes lojtarët e kanë votuar atë si kapiten të parë. Ai respekt që Graniti ka brenda skuadrës është shumë, shumë i rëndësishëm”, deklaroi Emery.
“Me të vërtetë unë besoj në të, ai është një njeri i mirë, futbollist i mirë dhe një profesionist i madh”, tha Emery për Xhakën.
Spanjolli tha se Xhaka ndonjëherë bënë gabime, por ai ka personalitetin e duhur.
“Graniti bënë gabime ndonjëherë dhe kjo është normale, por gjëja më e rëndësishme është që t’i analizoj dhe t’i korrigjojë gabimet”, tha tekniku spanjoll.
Pas Granit Xhakës, kapitenët tjerë te Arsenali janë, Pierre Emerick-Aubameyang, Hector Bellerin, Alexandre Lacazette dhe Mesut Ozil.