Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sot ka mbajtur tubimin elektoral me qytetarët e Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.
Në këtë tubim, kandidati për kryeministër të vendit, Kadri Veseli ka thënë se me 6 tetor Partia Demokratike e Kosovës do të dal fitimtare edhe në Llap.
Veseli përpara llapjanëve ka shtuar se kandidatura e tij për kryeministër të vendit e ka një qëllim, atë të përkrahjes së rinisë.
I pari i kësaj partie ka premtuar se pensionistëve do t’iu rriten pensionet për 80%, teksa Veseli ka thënë se do t’i legalizojë të gjitha ndërtimet pa leje të bëra për dy vite.
“6 tetori do të jetë dita e madhe e fitores edhe në Llap, për t’i fituar kështu edhe komunat tjera të Kosovës. Andaj, duhet të qëndrojmë fuqishëm bashkë edhe pas 6 tetorit. Kandidimi im për kryeministër ka vetëm një qëllim, përkrahjen për rininë, me theks të veçantë rininë inovatore, sektorin e teknologjisë. Do t’i përkrahi të gjithë fermerët, do t’i përkrahi të gjithë ndërmarrësit të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Nuk do të ketë asnjë tatim për ta, por do të ketë ulje në tatim për të gjithë ata. Do t’i legalizojmë si në Llap ashtu edhe në gjithë Republikën e Kosovës gjitha ato ndërtime pa leje për dy vitet e ardhshme. Qëllimi jonë është që përmes fuqizimit të ekonomisë, e fuqizojmë po ashtu edhe punësimin e të rinjve dhe të rejave tona. Përmes fuqizimit të ekonomisë e fuqizojmë shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Ky do të jetë orientimi i Kosovës dhe do t’i përkrahi në mënyrë të veçantë të gjitha kategoritë e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për aq sa do t’i përkrahi edhe prindërit tanë, pensionistëve do t’iu rriten pensionet për 80%”, ka thënë Veseli.
“Me 6 tetor qëndroni të bashkuar dhe mos u përçani mes vete, politika ime është bashkimi, pavarësia mes njëri-tjetrit, se kur jemi bashkë jemi më të fortë. Kur jemi bashkë fitojmë më shumë se çdo parti. Llapi i ka dhënë shumë lirisë, ka dhënë shumë veprimtarë të pashoq të cilët kanë ndërtuar këtë shtet”, ka thënë ai, duke kërkuar që në listat e tyre të mbështeten kandidatët llapjanë.
Krejt në fund të fjalimit, Veseli porositi qytetarët që të dalin masovisht në zgjedhje.
“Këto janë zgjedhjet e së ardhmes tuaj, dilni masovisht në zgjedhje. Fuqizoni PDK-në. 112 është numri ynë”, ka thënë Veseli./Llapi.info