Rreth orës 6 e 10 minuta të pasdites së të mërkurës policia në qytetin e vogël të Abensbergut në Baravrinë e Poshtme është njoftuar për të shtëna armësh, të cilat janë dëgjuar në parkingun e një supermarketi në rrugën “Strabuinber”, raporton Gazeta Express.
Pas arritjes së policisë, në parkingun e dyqanit është gjetur i vrarë një 37-vjeçar i nacionalitetit serb nga disa të shtëna.
Siç shkruan mediumi gjerman ‘pi-news.net’, dy të dyshuarit njëri 30 vjeç dhe tjetri 41, janë shqiptarë nga Kosova, të cilët menjëherë pas rastit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Policia gjermane menjëherë janë aktivizuar në një aksion të madh kërkimi.
Menjëherë pas një gjysmë ore, janë dëgjuar edhe disa të shtëna të tjera. Siç shkruan gazeta gjermane në një udhëkryq në qytetin e Abensberg dy makina ishin ndalur njëra-tjetrës. Drejtuesit e makinave ishin grindur shkurtimisht, dhe më pas nga njëra makinë dikush kishte shtënë me armë tri herë duke lënë të plagosur rëndë një 46-vjeçar që gjendej në makinën tjetër.
I plagosuri sipas gazetës, gjithashtu, ka qenë i nacionalitetit serb, dhe ishte dërguar menjëherë me një helikopter në spital.
Të dyshuarit fillimisht ishin arratisur me një makinë të kyçe, dhe më pas ishin arrestuar nga policia pas një aksioni të madh në të cilin ishin përfshirë edhe helikopterë policie. Ata nuk kishin rezistuar, ndërkohë arma me të cilën dyshohet se është shtënë u është sekuestruar.
Policia gjermane më pas ka zgjeruar hetimet duke bërë kontrolle të shumta nëpër apartamente. Sipas të gjeturave dhe armëve të të dyshuarve, dyshohet se është një konflikt në mes të strukturave kriminale të caktuara etnike e mirë të organizuara në Gjermani. Më këtë tashmë po merret edhe inspektorati i policisë për krime nga Landshut.