Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur tubim me qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Veseli i premtoi qytetarëve të Fushë Kosovës se si kryeministër i vendit do të rrisë për 80% pensionet e veteranëve dhe dëshmorëve të luftës.
Ai me tej, theksoi se qeveria e ardhshme përveç se do të luftojë korrupsioni e nepotizmin, do ta fuqizojë ekonominë e Kosovës dhe partneritetin me shtetet mike.
“Ta mbani këtë entuziazëm sepse kjo i duhet Kosovës. Të gjithë bashkë fuqishëm dilni në votimi për të ardhmen e Kosovës. Qeveria jonë do ta orientojë ekonominë e Kosovës drejt prodhuesve që është e ardhmja jonë, do ta përkrahim të rinjtë. Do të ketë ulje të tatimeve, përkrahje të fermerët, veteranëve, familjet e dëshmorëve si dhe duke rritur pensionet e tyre për 80%. Në të njëjtën kohë do të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kosova sa e fuqishme brenda do të ketë sovranitet jashtë dhe do të ketë respekt dhe integrim të avancuar. Bashkohuni fuqishëm me 6 tetor”, deklaroi Veseli.
Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, nga radhët e PDK-së, Rrahim Tërrnava, kërkoi nga qytetarët që të bashkohen me 6 tetor për të vendosur për të ardhmen.
Sipas tij, qeveria e ardhshme e kryesuar nga Kadri Veseli do të jetë me perspektiv euroatlantike.
Ai ndër të tjera tha se deputetët e PDK-së në Kuvendin e Kosovës do ta ngritin zërin për të drejtat e qytetarëve.
“Faleminderit nga të gjithë ju që ishit përkrahës së fitores së PDK. U jam mirënjohës, të dielën është festa e Kosovës. Duke votuar për PDK ju orientoni luftën kundër korrupsionit. Duke dëshmuar vizion për të rinjtë dhe me perspektiv euroatlantike. Për besimin në PDK dhe besimin për kryeministër Kadri Veseli. Fitorja do të konfirmohet të dielën sepse ne e mbajmë fjalën dhe ne e zhvillojmë Kosovën. Ju siguroj që mbas 6 tetorit nuk do të kemi qeveri që i prish raportet me Amerikë e Evropë, e as qeveri që smerr vendime. Por do te kemi qeveri që zhvillon turizmin, që merr vendime e që mban raporte të mira me shtetet mike. Ju siguroj që në Kuvendin e Kosovës do të jenë deputetët e PDK-së që do ta ngritim zërin për të drejtat e juaja”, u shpreh Tërnava.