Kosova ka shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për të promovuar imazhin si shteti i “evropianëve të rinj”. Mirëpo, dhjetëra mija të rinj po ikin çdo vit.
Shumë prej tyre janë fëmijë të prindërve që paraluftës kaluan ilegalisht disa kufij për të mbërritur në shtetet perëndimore. Në liri, janë fëmijët e tyre të zhgënjyer që po ia kthejnë shpinën vendlindjes për të ardhme më të mirë jashtë vendit.
Kosovarët janë të vetmit që përballen me regjim vizash. Politikanët i ndërrojnë përditë datat e mundshme për lirinë e lëvizjes. Zhgënjimi me politikën është një prej arsyeve kryesore pse të rinjtë mësyjnë ambasadat për një vizë pune, raporton KTV.
Viza është fjala që shpesh dominon muhabetin ndërmjet shokëve e shoqeve. Flasin në shkollë e rrugë. Gjimnazisti i shkollës “Jeta e Re” në Suharekë, Astrit Baraliu, po pret që së shpejti babai të rregullojë dokumentet për ta marrë familjen gjashtanëtarëshe në Itali.
Ai thotë se është i pakënaqur me shërbimet publike lokale, sidomos me ato të shëndetësisë. Në Suharekë nuk ka kurs të italishtes, prandaj, Baraliu duhet të shkojë në Prizren për të mësuar italishten që ta ketë sa më lehtë përshtatjen në Itali. Natyrisht, nëse do të jetë pozitive përgjigja e shtetit italian për familjen e tij.
Pavarësisht pengesave, dhjetëra mija të rinj në vit aplikojnë në ambasada evropiane për viza pune.
Sipas anketës, “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP-ja dhe USAID-i në Kosovë, 58 për qind e të anketuarve e konsiderojnë largimin nga Kosova në tri vitet e ardhshme. Qytetarët kanë identifikuar mungesën e perspektives së punësimit, varfërinë dhe nepotizmin e korrupsionin si sfidat kryesore për të ardhmen e rinisë.
Pakënaqësi të ngjashme ka edhe Gëzim Gashi nga Suhareka, i cili po punon në Mal të Zi.
Gjatë pushimeve në vendlindje, e ka kuptuar se shumica e të rinjve flasin për largim nga Kosova. Edhe vetë, po mendon të shkojë në Evropën Perëndimore, ku jeton shumica e farefisit.
Nëse Gashi nuk do t’ia dalë të rregullojë dokumentet për Gjermani e Zvicër, do t’ia vë syrin ndonjë shqiptareje të diasporës.
Në një anketë rastësore në zyrat e Kryqit të Kuq, gjysma prej pesëmbëdhjetë të rinjve i kanë thënë sociologes Antigona Kolgeci-Ukëimeri se dëshirojnë të migrojnë në shtetet evropiane.
Ajo mendon se rinia nuk po e gjen veten për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe mosrespektimit të të drejtave të punëtorëve. Drejtoresha e shoqatës së grave, “Alternativa për integrim” thotë se shumica e të rinjve suharekas punojnë në qendrat tregtare. Femrat kanë më pak mundësi. Të dhënat institutit “Riinvest” tregojnë se tetëdhjetë për qind të grave të afta për punë nuk janë pjesë e ekonomisë së vendit.
Ajo mendon se burimi i problemeve të grave lidhen me mospërfshirjen e tyre në trashëgimi. Për ndryshim rrënjësor, duhet mbështetja institucionale e shoqërore. Por regjisori Ben Apolloni thotë se dora e pushtetit nuk po vërehet askund në Kaçanik. Mendon se duhet të ketë manifestim publik të pakënaqësisë për të nxitur ndryshime thelbësore.
Shumica e të rinjve në Kaçanik e kalojnë kohën në shëtitoren përgjatë brigjeve të lumit që e ndan qytetin në dysh. Erlida Mulaku nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet kulturor e sportiv jashtë atyre që ofron gjimnazi “Skënderbeu”. Ka pasur zhgënjimi, por nuk e ka ndërmend ta lëshojë Kosovën.
Nga Kosova nuk mendon të largohet as shoku i Erlidës, Eris Koraqi, i cili nuk merret me kurrfarë aktiviteti pos atyre shkollore.
Por Astriti në Suharekë thotë se nëse ia del të shkojë me familje te babai në Itali, në Kosovë do të kthehej vetëm për pushime.