Llogaritej si favorit kryesor në këtë duel, por Llapi është befasuar në “Zahir Pajaziti” nga Ferizaj duke pësuar humbje me rezultat të thellë 2-4, njofton Llapi.info.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rezultat befasues, pasi që Ferizaj shënoi dy herë. Në minutën e 4’ Përparim Livoreka realizoi për 0-1, ndërsa në minutën e 32’ ferizajasit shënuan edhe golin e dytë me anë të Zgjim Mustafës.
Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, llapjanët ngushtuan epërsinë e mysafirëve me anë të Mentor Zhdrellës, ku me këtë rezultat 1-2 skuadrat shkuan në pushim prej 15 minutave.
Me t’u nisur pjesa e dytë, ferizajasit shënuan edhe golin e tretë me Bunjamin Asani, i cili realizoi gol të bukur nga distanca. Mysafirët nuk u ndalën me kaq, pasi që në minutën e 68’ Adonis Shala shënoi për t’i ngritur shifrat në 1-4.
Bardh e kaltrit nga Podujeva deri në fund të ndeshjes lëshuan edhe disa raste të volitshme në minutat 76’ dhe 78, por kështu s’ishte në minutën e 82’ pasi Behar Maliqi realizoi për ta ngushtuar epërsinë e mysafirëve në 2 me 4, njëherësh ishte edhe epilogu përfundimtar i kësaj ndeshjeje.
Pas disfatës, Llapi rrezikon të humb edhe vendin e dytë, pas nëntë xhirosh ka 17 pikë të tubuara, ndërsa Ferizaj me këtë fitore ngjitet në vendin e tetë me 9 pikë të arkëtuara.
Në përballjen e radhës, Llapi do të ketë punë me Trepçën ’89, ndërsa Ferizaj pret Prishtinën./Llapi.info