Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet e votuesve deri në orën 11:00 në Kosovë, raporton Llapi.info.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në konferencë për media ka thënë se pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 është 9.64%.

“Bazuar në të dhënat nga 94% e vendvotimeve pjesëmarrja e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues apo 9.64%”, ka thënë Daka,

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ-ja, dalja e votuesve në Podujevë është 7 mijë e 342 qytetarë, apo shprehur në përqindje 9.11%. Të drejtë vote në Podujevë kanë 85 mijë 254 qytetarë.

Në këtë komunë, 111 është numri i përgjithshëm i vendvotimeve, teksa qendra më e madhe është Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”. Kështu ka deklaruar për Llapi.info edhe drejtori dhe menaxheri i kësaj qendre, Fehmi Zeqiri.

“Në kuadër të kësaj shkolle ekzistojnë 15 vendvotime ku të drejtë vote kanë 12 mijë e 800 votues, që është edhe qendra më e madhe në Podujevë. Gjithçka ka qenë e përgatitur duke parë koordinimin që e kemi pasur me akterët kryesorë të zgjedhjeve, si: KQZ-ja, Komisionin Komunal Zgjedhor ku kemi harmonizuar të gjitha përgatitjet e nevojshme. Shkolla është hapur me kohë në orën 07:00. Vlen të theksohet se aktivitetet i kemi harmonizuar edhe me Policinë e Kosovës dhe KEDS-in”, ka thënë ai./Llapi.info