Autobusi me futbollistët e Crvena Zvezdës është duke u kthyer për në Serbi, pasi që nuk iu lejua hyrja në Kosovë nga Policia.
Ndeshja e planifikuar të zhvillohet sot në orën 15:00 mes klubit serb nga Kosova, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në territorin e Kosovës nuk do të zhvillohet pasi që Policia e vendosur në Jarinë nuk i lejoi serbët të futen në territorin kosovar, raporton Gazeta Express.
Federata e Futbollit e Kosovës kishte lajmëruar se ndeshja nuk do të zhvillohet dhe për këtë gjë kishte kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës, e cila e kishte detyrën për t’i ndalur futbollistë serbë të hyjnë në territorin e Kosovës.
FFK-ja e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e klubeve serbe nga Kosova në garat e Serbisë, duke insistuar se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe për këtë tentim të Serbisë për të ndërhyrë në territorin kosovar është ankuar edhe në UEFA e FIFA.
Në vend të kësaj, gazeta serbe Kurir raporton se ndeshja Trepça – Crvena Zvezda, në kuadër të Kupës së Serbisë, do të zhvillohet në Serbi nesër, e jo sot në orën 15:00 në Kosovë siç ishte planifikuar fillimisht.
Të pranishëm në Jarinë ishin edhe një grup i tifozëve të Zvezdës, që provokuan me këngë “Oj Kosovë, oj vendi im”, liderët e dy klubeve dhe presidenti i Listës Serbe, Goran Rakic.
Gjatë rrugës së tyre drejt kthimit, futbollistët dhe stafi i Crvena Zvezdas dolën nga autobusi për t’i duartrokitur tifozët e tyre që kishin udhëtuar për ta mbështetur skuadrën. /Gazeta Express/