Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor Skifter Beqirajn, në akuzën për grabitje të mbi 200 mijë eurove. Gjykata e dënoi të dyshuarin S.B me gjashtë vjet burgim dhe tre mijë euro gjobë. Ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.

Rasti ka të bëjë me një grabitje në një këmbimore të Pejës e cila ka ndodhur me datë 27.12.2018.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari dhe tre persona të paidentifikuar, e kanë shtrirë për toke të dëmtuarin G.G, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes.

Ata më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila me pas ia kishin marrë të gjitha paratë.

Sipas prokurorisë, njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin të dëmtuarit G.G 146 mijë e 490 franga zvicerane, 27 mijë e 433 dollarë amerikanë, 52 mijë e 90 euro, 1 mijë e 237 euro në valuta të ndryshme, mbi 200 mijë lekë si dhe ari në vlerë prej 15 mijë euro.