Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se është takuar sot me Kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, me të cilin po flasin për Shkup e Shkodër por jo edhe për koalicionin e mundshëm PDK-VV.
“Jemi miq të moçëm. Kolegë, kryetar të komunave”, ka thënë Veliu, për Express.
“Po bisedojmë për Shkup e Shkodër”, ka shtuar ai.
Nënkryetari i LDK’së të premten kishte folur edhe për garën zgjedhore duke thënë se partia e tij s’ka dalë fituese duke shprehur edhe rezerva sa i përket koalicionit me VV.
Megjithëkëtë, të shtunën, Veliu përsëri ka thënë se posa të certifikohen rezultatet mund të ketë sërish biseda politike me Vetëvendosjen për të parë mundësitë e bashkëpunimit.
Nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimit të ekspertëve për të parë nëse mund të ketë përafrim të qëndrimeve të dy partive për temat kryesore të Shtetit.
“Faktikisht, këto grupet e ekspertëve punojnë për t’i përafruar qëndrimet rreth programit dhe çështjeve që janë me interes”, ka shtuar ai.